Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi ankimin e biznesmenit Arben Frroku, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.
Në fillim të seancës, Kushtetuesja vendosi, në zbatim të një vendimi të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të shfuqizojë një vendim të saj të vitit 2018. Më pas, gjyqtarët shqyrtuan pretendimet e Frrokut, i cili kërkonte anulimin e vendimeve të mëparshme dhe rigjykimin e çështjes nga një trupë tjetër gjykuese.
Pas shqyrtimit të argumenteve, Gjykata vlerësoi se pretendimet e paraqitura nuk qëndronin dhe vendosi rrëzimin e kërkesës, duke lënë të pandryshuar dënimin maksimal.
Arben Frroku u arrestua në Greqi pak orë pas vrasjes së Dritan Lamajt dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë. Pas një procesi të gjatë në Gjykatën për Krime të Rënda, ai u shpall fajtor. Më vonë, Apeli për Krime të Rënda e dënoi me burgim të përjetshëm.
Frroku u arrestua sërish në Holandë dhe aktualisht po vuan dënimin. Edhe pse e çoi çështjen deri në Strasburg, përpjekjet e tij nuk ndryshuan vendimin përfundimtar të drejtësisë shqiptare.
