Një operacion i Policisë së Shtetit në Tiranë ka çuar në zbulimin e një apartamenti të dyshuar për ushtrim prostitucioni në një zonë të banuar të kryeqytetit. Si rezultat i ndërhyrjes, janë arrestuar dy shtetase të huaja dhe është proceduar penalisht një shtetas shqiptar, i dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari.
Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti zhvillohej në një apartament të marrë me qira në rrugën “Çamëria”. Dy shtetase nga Kazakistani, 19 dhe 25 vjeçe, dyshohet se ushtronin prostitucion në këtë ambient, i cili sipas policisë ishte përshtatur për takime me klientë.
Operacioni, i koduar “Foleja 4”, u organizua nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokuroria e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes, dy shtetaset e huaja u arrestuan në flagrancë, ndërsa një 33-vjeçar shqiptar u procedua penalisht, pasi dyshohet se kishte rol ndërmjetësues dhe përfitonte financiarisht nga kjo veprimtari.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm dhe dy telefona celularë, të cilët pritet t’i nënshtrohen ekspertizës për dokumentimin e mëtejshëm të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e plotë të përgjegjësive ligjore. Policia thekson se goditja e rasteve të prostitucionit dhe shfrytëzimit për qëllime përfitimi mbetet prioritet, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshimtë.
