Nga Sonila Meço
Lajmi real politik këto ditë është konflikti institucional rreth pezullimit të zv/kryeministres dhe reagimi i mazhorancës me ndryshime të shpejta ligjore.
Ndërkohë që në Kuvend po rishkruhet kufiri mes pushtetit ekzekutiv dhe kontrollit gjyqësor, opinioni publik shtyhet me zor drejt lajmit të vajtjes së kryeministrit në një takim tematik të një bordi pa mandat në Washington.
Megjithëse stafi i ngushtë 13 vjeçar i propagandës është larguar plotësisht, inercia e stilit vijon me të njëjtën formulë bajate. Nakatos në një tenxhere gjithë përbërësit se njëlloj do bien në stomak.
Në po ate podcast që s’le të qetë as të dielën e Perëndisë, kryeministri njoftoi ndryshime ligjore që kufizojnë ndërhyrjen e drejtësisë në majën e qeverisë, një çështje thelbësore e rendit kushtetues si edhe një ftesë ndërkombëtare për mbledhjen e Bordit të Paqes, një çështje ende e paqartë e një organizimi pa mandat.
E para ndryshon mekanizmin e shtetit, duke e bërë të paprekshme kupolën e pushtetit të konsumuar në korrupsion, krim e zhvatje.
E dyta duhet dëshpërimisht për një foto personale, si marazi i magazinës së xhaxhi Vanit.
Pyetja që u intereson shqiptarëve, popullit emigrant e azilkërkues në nivelet e popujve në luftra është nëse duhet që një i pandehur në majë të pushtetit korruptiv, të vijojë ta ushtrojë pushtetin për të cilin po hetohet?
Interesi është madhor, sepse një ndryshim i rendit kushtetues ndikon breza. Pra thënë ndryshe, nëse mallkimi i emigracionit masiv në mohim të pasurive natyrore e publike do të vijojë tek fëmijët tanë, nipër e mbesa.
Mirëpo çfarë bën podkasteri i së dielës? Bashkon në një rrëfim të vetëm udhëtimin në SHBA për një mbledhje në Bordin e Paqes me ndryshimet ligjore që i nis qysh nesër me depozitimin e nismës në kuvend.
Ndryshime që lidhen me kompetencat e gjyqësorit mbi pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik. Tashmë të përjashtuar nga pezullimi nuk do të jenë vetëm personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral por edhe Presidenti i Republikës, Kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokati i Popullit, Kreu e KLSH-së dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Pra, megjithëse jo të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, edhe nëse merren të pandehur nga prokuroria e gjykata, këta drejtues të lartë shtetërorë do të vijojnë të mbajnë pushtetin, duke shkelur kësisoj parime thelbësore të kontroll-balancës në shtetin e së drejtës, kundër parimeve te BE-së.
Ja pse nakatosen në një podcast vajtja në SHBA me ndryshimet ligjore, sepse Rama po rreket të na shesë një histori “ftese nga Uashingtoni” si provë force, në një moment kur lajmi i vërtetë është beteja për t’ia hequr gjykatës mjetin e pezullimit dhe për t’i dhënë majës së ekzekutivit një zonë të paprekshme në kohën më të keqe për të.
Kësaj here, ndoshta sepse vepron inercia dhe jo vetë angazhimi i hartuesve të zellshëm të propagandës, nuk po i ecën strategjia.
Qartazi kryeministri nuk po shkon në SHBA për për një agjendë dypalëshe,
por si pjesëmarrës në një mbledhje pa mandat.
Sepse e di shumë mirë këtë, ai i drejtohet psikologjisë së votuesit shqiptar me anë të mitit që i rrënjosi për 13 vite se është lojtar në gjeopolitikë.
Sepse e di që do helmojë propaganda: ja, megjithëse e denigroi vetë Trump-in në CNN, megjithëse mungoi në Davos e Konferencën e Sigurisë në Mynih, megjithëse e injoroi presidentin amerikan në Bordin e Paqes për të shoqëruar të bijën në investimet private, megjithëse deklaratat zyrtare amerikane për Shqipërinë kanë kolonë zanore luftën ndaj krimit të organizuar e trafiqeve, megjithëse i bën karshillëk BE-së duke mos shkarkuar zëvendësen, megjithëse ka njerëzit e vet më të afërt të pushtetit në burg, paraburgim, të pandehur, te hetuar… e pra pavarësisht shumçkaje kundra tij, do të jetë me presidentin amerikan në Washington në mbledhjen e Bordit të Paqes.
Sa e lexueshme kjo tentativë propagandistike! Sa lehtë çmontohet si në formë edhe në përmbajtje!
P.sh, një batare fyerjesh e sulmesh ndaj kritikëve e kundërshtarëve politikë e lidhi me një ftesë nga Trump për përgënjeshtrimin e tyre.
Pra e zhvendosi theksin nga politika e jashtme, që e konsideronte si mjeshtëri absolute tek politika e brendshme, krejt e parëndësishme për atë që vetshpallej lider rajonal me gjasa globale. Pra, vetë struktura e deklaratës tregon se i duhet një alibi si ftesa për konsum të brendshëm, sepse nuk ka asnjë arritje si moment gjeopolitik dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Edhe në zvarritjen e mundimshme për t’i dhënë rëndësi ftesës nuk gjen dot asnjë meritë institucionale e personale për pjesmarrjen në Bordin e Paqes, përveçse me argumentin: “nuk kontribuojmë me para, por me dinjitet”.
Ouuu? Që kur mjeshtri i lobimeve ka marrë me qera “dinjitetin” si argument?
Aq me tepër në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku kontributi matet me buxhet, trupa ushtarake, kapacitete, diplomaci aktive dhe marrëveshje konkrete.
“Dinjiteti” nuk është kategori operacionale në sistemin ndërkombëtar, por kategori emocionale për publikun vendas. Si ka mundësi mjeshtri ta hollojë kësisoj fuqinë lobuese të tij?
Psh kryeministri mungoi në Davos, një rrjet global kapitali. Mungoi në Mynih, tek rrjeti global i sigurisë. Këshilltarët e lobuesit e tij e dinë fare mirë se ne diplomaci serioze, peshë ka struktura ku merren vendime, jo tryeza ku bëhen deklarata në një bord ende pa mandat, pa strukturë vendimmarrëse, dhe pa arkitekturë të qartë. Ku edhe vendin kryeministri e siguroi me leje nga Presidenti Begaj dhe votim nominativ me urdhër nga Kuvendi.
Ndërkohë, Shqipëria nuk ndryshon status ndërkombëtar përmes një bordi ende pa mandat. As Rama nuk ndryshon ciklin e tij politik përmes një ftesë ceremoniale.
Për më tepër, SHBA ka pritur liderë me skandale korrupsioni, me ministra në burg, me hetime të hapura,
me krimin e organizuar si problem serioz shtetëror.
Por fati i tyre politik nuk është varur absolutisht nga ky fakt. Mjafton të kujtojmë Gruevskin, ish kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, që pritej personalisht në Shtëpinë e Bardhë në Janar, por në mars, pra brenda dy muajve arratisej pas rënies nga pushteti.
Sidoqoftë ky lajm, që nuk përbën as vizitë shtetërore do të përshkojë rutinën tre ditore të një ngjarjeje pa asnjë efekt në Shqipëri. Problemi është tjetërkund, tek ndërhyjra e paprecedent me ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale.
Kjo ndërhyrje synon të bëjë të paprekshme nga Drejtësia kupolën e vendit më të korruptuar ne Europë, brokerin e pasurive të shqiptarëve, pushtetin që riktheu partinë-shtet në vendin më të shpopulluar të kontinentit, arkitektët e laboratorit të vetëm eksperimental për çdo fantazi kriminale.
Dhe kur e mendon, ishim më mirë kur ishim më keq, kur në vend të podkastit çartës, kishim anketën muzikore radiofonike të së dielës.
