Një rast i dokumentuar i Hantavirusit është regjistruar në Shqipëri që në fund të viteve ’80, duke dëshmuar se prania e këtij virusi në vend nuk është një fenomen i ri, por një realitet i njohur prej dekadash nga komuniteti shkencor.
Sipas një studimi të publikuar më 21 nëntor 1987 në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet, rasti i parë është identifikuar në veri të Shqipërisë dhe është përfshirë në literaturën ndërkombëtare si një rast i etheve hemorragjike me sindromë renale.
Studimi, i titulluar “Haemorrhagic fever with renal syndrome in a case in northern Albania”, përshkruan një pacient të prekur nga forma e rëndë e virusit, që prek kryesisht veshkat dhe sistemin e qarkullimit të gjakut. Autorët e publikimit shkencor janë studiuesit shqiptarë E. Eltari, M. Nuti, I. Hasko dhe A. Gina.
Së fundmi, ky rast është rikthyer në vëmendje edhe nga Silva Bino, shefe e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, e cila ka theksuar në rrjetet sociale rëndësinë e survejancës epidemiologjike dhe monitorimit të sëmundjeve zoonotike.
Hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit, përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pluhurin e kontaminuar në ambiente të mbyllura apo rurale. Ekspertët theksojnë se virusi nuk përhapet lehtësisht nga njeriu te njeriu, por në raste të caktuara mund të shkaktojë komplikacione serioze pulmonare dhe renale.
Megjithëse rastet mbeten të rralla, specialistët apelojnë për kujdes të shtuar në ambiente ku ka prani të brejtësve, si magazina, bodrume, kapanone apo zona bujqësore. Rikthimi në vëmendje i këtij dokumentimi të hershëm konsiderohet një kujtesë për rëndësinë e higjienës, monitorimit shëndetësor dhe reagimit të shpejtë ndaj sëmundjeve infektive.

