Peticioni online “Rama Out” ka shkaktuar debat të madh në rrjetet sociale, pasi numri i firmave të regjistruara ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke kaluar nga mbi 700 mijë në rreth 234 mijë nënshkrime.
Në faqen zyrtare të peticionit është publikuar një njoftim ku thuhet se sistemi ka zbuluar një numër të madh aktivitetesh të dyshimta automatike, të njohura si “bot-e”. Sipas administratorëve, trafiku i dyshuar po bllokohet dhe po verifikohet, ndërsa të dhënat e peticionit mund të mos jenë plotësisht të sakta deri në përfundimin e procesit të kontrollit teknik.
Pas filtrimit të trafikut të dyshuar dhe verifikimit të nënshkrimeve, numri i firmave të vlefshme është rillogaritur në rreth 234,809, ndërsa më herët në platformë dhe në rrjet qarkullonin shifra dukshëm më të larta.
Zhvillimi ka nxitur reagime të shumta mes qytetarëve, me shumë prej tyre që kërkojnë transparencë mbi mënyrën e mbledhjes dhe verifikimit të firmave. Ndërkohë, administratorët e peticionit theksojnë se procesi i kontrollit vazhdon dhe se numri i nënshkrimeve mund të ndryshojë sërish pas përfundimit të verifikimeve.
Për momentin, sipas të dhënave të publikuara në faqe, peticioni numëron 234,809 firma të regjistruara, ose rreth 23% të objektivit prej 1,000,001 nënshkrimesh.
