Nga Sonila Meço: “Fik dritat “Ferma” në qershor. Moza fiton. Sponsorët qarkullojnë për tek “dramat” e radhës. Loja mbaron.
Çfarë ndodh me ne që mbetemi në versionin e plotë të saj? Ne, variablat e çoroditur të lojës së madhe, që shahemi, pështyhemi, goditemi, gjakosemi e vritemi pa një finale?!
Moza ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës. Pasi ka provuar shijen e dheut në taban, kurorat e lavdisë në qiellnajë. Moza në këtë strukturë të matufepsur shoqërore është konstante, një trup me densitet tjetër.
Nuk përzihet me lëngun.
Nuk e merr formën e enës. Edhe kur e fut në perimetrin e Fermës.
Edhe kur është e lirë si kali në lëmë.
https://googleads.g.doubleclick.net/pagead/ads?client=ca-pub-2835235183141860&output=html&h=428&slotname=4595720788&adk=3587327880&adf=372052744&pi=t.ma~as.4595720788&w=428&rafmt=1&format=428×428&url=https%3A%2F%2Flokimagazine.com%2Fedibbv&fwr=1&fwrattr=true&rpe=1&resp_fmts=3&sfro=1&asro=0&aiapmid=0.0001&aiactd=0&aicctd=0&ailctd=0&aimartd=4&aieuf=1&aicrs=1&abgtt=6&dt=1777999784287&bpp=1&bdt=192&idt=280&shv=r20260504&mjsv=m202604290101&ptt=9&saldr=aa&abxe=1&cookie=ID%3D92fb3cfb8be384b0%3AT%3D1777727972%3ART%3D1777998707%3AS%3DALNI_MbPWezv_7jwohjp6Uk9vYibwOrLgg&gpic=UID%3D000013b1e1c180d9%3AT%3D1777727972%3ART%3D1777998707%3AS%3DALNI_MZxcm0Z_Exj5ob12IpkuLT71FhNQA&eo_id_str=ID%3D132483ede5914c95%3AT%3D1777727972%3ART%3D1777998707%3AS%3DAA-AfjbMvmnkhg3pL4lAIjeabLni&prev_fmts=0x0%2C428x428&nras=1&correlator=5886965242758&frm=20&pv=1&u_tz=120&u_his=1&u_h=896&u_w=414&u_ah=896&u_aw=414&u_cd=24&u_sd=3&adx=0&ady=1467&biw=428&bih=744&scr_x=0&scr_y=0&eid=95386814%2C31098231%2C95388298%2C95387778&oid=2&pvsid=6334252450769340&tmod=906007155&uas=1&nvt=1&loc=https%3A%2F%2Flokimagazine.com%2F2026%2F05%2F05%2Fnisur-nga-ngjarjet-e-djeshme-shkrimi-i-sonila-mecos-per-mimoza-ahmetin-qe-po-ben-buje-ne-rrjet%2F&fc=1920&brdim=0%2C0%2C0%2C0%2C414%2C0%2C428%2C744%2C428%2C744&vis=1&rsz=%7C%7CeEbr%7C&abl=CS&pfx=0&fu=128&bc=31&bz=1&pgls=CAA.&ifi=3&uci=a!3&btvi=1&fsb=1&dtd=285
Një grua që ka krijuar, sidomos përmes letërsisë, nuk ka jetuar vetëm jetën e saj. Moza ka përtypur karaktere, konflikte, drama, rikthime, humbje, rënie, dobësi njerëzore.
I ka parë nga brenda, i ka kuptuar, i ka shndërruar në fjalë.
Një strukturë e tillë psiqike nuk hyn lehtë në konflikt, sepse konflikti kërkon një lloj pasigurie për t’u ndezur. Moza i ka ikur atij kurthi kohë më parë e as nuk shpjegohet më me rrethanat e një formati televiziv. Shpjegohet me kohën që ka kaluar brenda vetes e për këtë jep leksione falas karshi kamerave të Fermës ndërsa gjerb me qesëndi kafenë e mëngjesit.
Ajo qetësi e adhuruar e saj nuk është temperament, por përzgjedhje me vetëdije, sepse identitetin nuk e ka ndërtuar në raport me të tjerët, por kryesisht pavarësisht tyre. Moza nuk përplaset më me jetën, e përthith të tërën, edhe atë miniaturë formati televiziv. Ndaj ngjan aq e sinqertë.
Sepse ajo e njeh mekanizmin. Ka parë mjaftueshëm nga natyra njerëzore ndaj refuzon të reagojë sipas një skenari që nuk e ka shkruar ajo.
Mu aty mbaron formati e ndodh përplasja reale, një sistem që funksionon mbi impulsin dhe një individ që funksionon mbi integritetin.
Sistemi në fakt, edhe jashtë formatit, në realitet nuk e toleron këtë kontrast.
Mendoni pak ç’ndodh me njerëzit e formuar, me integritet e dinjitet.
Ndaj mos ia qani hallin kur e bullizojnë ca këpujka. Po as mos u ngazëlleni kur e miklojnë me ca drone e rroba. Moza e di fare mirë ku është. Dhe përse. E di që ka një datë skadence ajo prezencë. Ashtu siç di se ato copëza jete në miniaturë janë hiçmosgjë në raport me relievin e tmerrshëm të origjinalit.
Ndaj ngjan kaq e sforcuar kjo indinjatë jona nga një miniaturë, ndërkohë që jetojmë si mosozot në origjinal. Ja që ndodh ky çekuilibër i çuditshëm, reagojmë fort ndaj simulimit dhe shpejt e shkurt ndaj realitetit.
Një fjalë e rëndë në studio duket skandal, ndërsa e njëjta gjuhë në përditshmëri kalon si refleks.
Një padrejtësi a bullizëm ndaj një gruaje të mençur e të matur në një format televiziv barabitet në reagim viral në rrjet me reagimin mbi vrasjen e dy fëmijëve duke luajtur, mbi dhunën barbare ndaj një të moshuare që mbron pronën e vet nga shteti.
Ndaj na ngjan Moza e paqtë, ndërsa ne vlojmë nga indinjata edhe për të. Jashtë, ne publiku e shohim nga distanca. Largësia prodhon idealizimin, na bën të projektojmë mbi figurën e saj atë që na mungon vetë, qetësinë, autenticitetin, dinjitetin. Prandaj Moza jashtë adhurohet, sepse përfaqëson një version më të lartë të vetes kolektive.
Brenda, ndodh e kundërta.
Aty nuk ka distancë, por konkurrencë, krahasim të përditshëm, hierarki të luhatshme. Ata banorë, çdo ditë zgjohen përballë dikujt që nuk ka nevojë të luftojë për vëmendje, ndaj u aktivizohet mekanizmi krejt i kundërt me atë tonin jashtë, de-idealizimi i dhe agresioni mbrojtës ndaj saj.
Moza, si fenomen që nga larg të mahnit e frymëzon, nga afër ngjan kërcënuese. I njëjti person ndahet në dy figura. Jashtë, objekt adhurimi. Brenda, shënjestër që duhet ulur për të rikthyer barazinë e egove. Kjo e krijon atë tension të padukshëm dhe nga hiçmoskundi, si të garosh me dikë që nuk po luan të njëjtën lojë? Përgjigjja e pavetëdijshme është e thjeshtë, ta tërheqësh poshtë, shumë poshtë derisa të hyjë në lojën që dinë të luajne ata vetë.
Kjo është prova që nuk e kalon dot jo vetëm një brez 4 dekada më i ri dhe i paprovuar se Moza, po as ata më pranë saj, si në moshë e profesion, si në formim e logjikë.
Kjo është kriza strukturore e formatit, sepse loja nuk është më hapësirë ku karakteret zhvillohen, por terren (edhe bujqësor po deshe), ku karakteret shkërmoqen derisa të bëhen të njëtrajtshme.
Të gjithë duhet të bien në të njëjtin nivel, sepse vetëm aty loja funksionon. Një figurë si Moza e prish këtë ekuilibër, sepse nuk shpërbëhet, nuk homogjenizohet, nuk hyn në ritmin e degradimit. Ka bërë të vetmin e të fundit pakt: të hyjë në një format reality. Këtu mund të diskujtojmë gjithë ditën a bëri mirë a jo, ama me ta mbaruar këtë analizë, nuk e shkartisim me atë që tashmë ndodh aty brenda.
Prandaj tensioni rritet. E do rritet edhe më. Do shajnë e fyejnë e bullizojnë nëse nuk u tregohen limitet nga produksioni. Sepse si në fizikë, çdo sistem që nuk arrin të përthithë një element, ka vetëm dy zgjedhje: ose të transformohet, ose ta neutralizojë atë element.
Me ç’duken bathët, nuk ka kapacitet për transformim, ndaj sistemi zgjedh të dytën. E në fund nuk i tregon produksioni kufijtë, por vetë loja. Loja po shfaq përdhunshëm limitet, sepse nuk është ndërtuar për të përballuar Mozën.
Tani nendoni pakëz, nëse një program, që është krijuar si sekuencë e provokuar jete për një eksperiment social, si burim i madh fitimi komercial, që mbetet gjithsesi zgjedhje personale për ta klikuar ose jo e shkakton gjithë këtë indinjatë, po jeta, përditshmëria, që të masakron shëndet fizik e mendor a mund të përballohet me indinjatë, qoftë edhe virale?
A po na programojnë për të mos dalluar se jemi spektatorë të atrofizuar pas kafazit të vogël, kur në fakt jemi viktima brenda kafazit të madh?
Ekrani ngjesh, ia heq kontekstin, përqendron ngjarjen, i jep kontur të pastër devijimit, manipulon. Aty gjithçka është e lexueshme, sepse është e izoluar. Ndërsa jeta shpërndan të njëjtën sjellje që tretet në miliona situata të vogla, mbështillet me rrethana, justifikohet nga ritmi, zhduket në fragmente. Gjithçka më pak e dukshme por gjithsesi reale. Ajo, jeta, kuptimi ekzistencial i njeriut.
Po e kujtoj edhe një herë të fundit:
“Ferma” mbaron në qershor. Moza fiton. Edhe në mos ia dhënshin trofeun. Sponsorët do qarkullojnë për spektaklin e radhës Realiteti ynë nuk mbaron kurrë. Aty nuk kemi luksin e episodit, por peshën e përjetshme të pasojës.
Nuk votojmë banorët, por çdo ditë, me kohën, djersën dhe vëmendjen tonë, votojmë edhe shpërdorimin e jetës së fëmijëve tanë.
S’ka të keqe se indinjohemi. Shumë mirë bëjmë. Problemi është ku e investojmë indinjatën dhe sa e përkthejmë në veprim. Sepse ndërkohë që analizojmë, shterohemi, vuajmë e tensionohemi me një skenë formati televiziv, jetojmë në një realitet shumë më të ndyrë e vrastar, ku rregullat, ligjet e trupat e fëmijëve bashkë me to “shkelen” egër dhe pasojat janë reale. Me vite, jetë e breza.
Askush nuk shton ndjekës në rrjete sociale duke luftuar për bukën e gojës, duke u strapacuar në punë, duke edukuar fëmijë e duke përmirësuar botën në të voglën e vet, siç i shtojnë gërrnjarët e formateve reality. Askush nuk përgëzohet me dronë, lahet me surpriza e shpreson 200,000 euro vetëm prej sherreve që provokon në jetë. Të korruptuarit po.
Si të dalim nga kjo dalldi në të cilën shpenzojmë energji ku nuk ndryshon asgjë dhe e kursejmë aty ku duhet të ndryshojë gjithçka?!
“‘Ferma’ është një lojë.
Jeta jonë është shansi i vetëm, pa provë gjenerale, shumë më e ashpër se çdo skenar filmi, programi a spektakli. Problemi është se ajo që shfaqet në ekran, ekziston.
Fatkeqësia është se ne nuk po e trajtojmë aty ku lind.
Dhe për këtë, sado madhështore, as Moza nuk na shpëton dot.
Nuk e ka këtë mision.
Por mund të na shpëtojë ajo që shpëtoi Mozën. E keni kuptuar cfarë është?”.
