Wednesday, May 20, 2026
HomeALBKombëtarja e Shqipërisë drejt një aventure të rrezikshme

Kombëtarja e Shqipërisë drejt një aventure të rrezikshme

Nga Adriatik Riza Dosti

Kombëtarja e Shqipërisë drejt një aventure të rrezikshme.

Në krye të saj, një italian anonim, i dështuar dhe i shkarkuar prej çdo ekipi ku ka qenë trajner.

Është 63 vjeç dhe quhet Rolando Maran… një mbrojtës pa kurrfarë shkëlqimi në karrierën e tij si futbollist, ku luajti kryesisht te Chievo në vitet 1986–1995.

Më pas, që nga viti 2002, trajner në më shumë se 10-15 skuadra të Serie B, por edhe te Catania, Chievo, Genoa, Vicenza, Pisa, Cagliari, Brescia etj. në Serie A.

Trajner me filozofi mbrojtëse, mediokër e dështak, si dhe i shkarkuar në çdo skuadër ku ka qenë.

Pa dyshim, në morinë e emrave të njohur që kanë qenë në krye të pankinës kuqezi, si Bariç, Kuzhe, Haan, Briegel, De Biasi, Reja, Panucci e së fundmi edhe braziliani Sylvinho, emri i të sapoemëruarit R. Maran është më i panjohuri, por edhe më anonimi e pse jo edhe më dështaku për nga CV-ja e tij profesionale, i cili do të udhëheqë kuqezinjtë të paktën për dy vitet e ardhshme.

Me një rrogë mujore diku te 28 mijë euro, siç i pëlqen fort tashmë A. Dukës të paguajë më pak, e pasi hoqi qafe Sylvinhon që kërkonte dukshëm më shumë para (e që në fakt duhej shkarkuar menjëherë pas dështimit tonë në Poloni), presidenti i FSHF-së sërish vazhdon çuditërisht ta mbajë stekën lart.

Teksa si objektiva të tij i ka kërkuar italianit të sapoemëruar Maran vendin e parë në grup në Nations League, kualifikimin për në finalet e Euro 2028, si dhe pjesëmarrjen për herë të parë të Shqipërisë në finalet e një Botërori.

E s’di pse m’u kujtua me këtë rast një batutë brilante e të madhit Lym Alla, kur e thirrën në Komitetin Qendror pas një humbjeje të rëndë të kombëtares sonë…

Lymit i kishin refuzuar 3-4 futbollistë për në kombëtare për shkak të biografisë, ndaj ai ishte detyruar t’i mbulonte mungesat me ç’të mundej, ndërkohë që kundërshtari qe një emër i madh i futbollit europian.

Pasi i dëgjoi ligjëratat e injorantëve të Partisë, që ishin prekur fort pse na kishte mundur aq thellë një ekip imperialisto-kapitalist, më në fund Lymi u kthehet e u thotë me shumë kurajo: “Po nuk bohet, mer jahu, simitja me miell misri… miell misri më dhatë, bukë misri ju bona… pse, çfarë prisnit ju…”.

Dhe historia me siguri absolute do të ripërsëritet, por kësaj radhe me protagonistë negativë vetë Dukën dhe të përzgjedhurin e tij, trajnerin italian Maran, e jo me futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë.

Ndaj dhe mendoj se ky emër i përzgjedhur nga Duka, që ka shokuar jo pak krejt opinionin sportiv shqiptar, qoftë edhe për mënyrën se si u përzgjodh, sipas meje është i dështuar ende pa startuar… për shumë arsye.

Po sipas meje, kjo është aventura dhe papërgjegjshmëria më e madhe e A. Dukës në adresë të Kombëtares së Shqipërisë që nga dita e tij e parë këtu e 25 vjet më parë, kur ai erdhi në krye të futbollit shqiptar.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments