Në konferencën e mbajtur këtë të martë për mediat, foli edhe inxhinieri Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, një nga institucionet që ka raportin kryesor mbi ndikimin e vendimmarrjes në gjendjen e krijuar nga bllokimi që po kalon prej disa ditësh aksi Librazhd-Përrenjas.
Bylyku theksoi se shkaku kryesor i situatës janë reshjet, të cilat sipas tij kanë qenë trefish më të mëdha se zakonisht, krahasuar me vitet e kaluara.
“Sasia e reshjeve ka qenë trefishi krahasuar me dy vitet e mëparshme. Ky është një fenomen i njohur si mbingopje e strukturave, i cili ka shkaktuar maksimumin e mbingarkesës dhe ka rezultuar si faktori kryesor i cedimit të gjithë strukturës. Shërbimi Gjeologjik po vazhdon me studimet e thelluara, të lidhura me interpretimin e rezultateve të rreth 500 metrave linearë shpime që do të kryhen nga ekspertët, si dhe një seri analizash. Falë kësaj pune, matja e rezultateve do të bëhet nga ana jonë, dhe interpretimi i të gjithë rekomandimeve që Shërbimi Gjeologjik do të japë për këtë situatë do të jetë gjithashtu në përputhje me këto rezultate.” – tha Bylyku.
