Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar me ironi pas foltores së zhvilluar nga Sali Berisha para Kryeministrisë, ku sipas tij morën pjesë vetëm “një grusht” militantësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla publikoi një foto shoqëruar me një batutë, duke thënë se disa prej mbështetësve të Berishës nuk kishin mundur të vinin në protestë pasi “u lodhën në dasmën e javës së kaluar”, duke iu referuar protestës së organizuar nga Partia Demokratike një javë më parë.
Në reagimin e tij, Balla akuzon Berishën se ka shkuar deri në atë pikë sa “të shpallë armiq edhe aleatët amerikanë”.
“Sot kishte edhe më pak krushq, ndërsa syresh kishin konsumuar lëndë kimike në ndonjë dasëm mbrëmë, aq sa njëri shpalli armiq edhe aleatët tanë amerikanë. I bëj thirrje Tritan Shehut të distancohet!”, shkruan Balla në reagimin e tij.
Postimi i Ballës vjen në vazhdën e përplasjes së ashpër politike mes mazhorancës dhe grupimit të Berishës, teksa protestat e opozitës kanë qenë në qendër të debatit publik ditët e fundit.
