Gjithçka gati për finalen e madhe të BBV: Ledion Liço premton spektakël dhe emocione nën yje

by orgest · April 17, 2025

Finalja e Big Brother VIP Albania do të mbahet më 19 prill dhe premton të jetë një nga netët më spektakolare televizive të vitit. Ledion Liço, moderatori i spektaklit, ka zbuluar disa nga përgatitjet intensive që po bëhen për këtë event që pritet me padurim nga publiku shqiptar kudo në botë.

“Lista e gjërave që duhet bërë vetëm shtohet,” tha ai me humor gjatë një lidhjeje për Top Channel, duke theksuar lodhjen, por edhe entuziazmin që mbizotëron në prapaskenë. Këtë vit, ndryshe nga finalet e mëparshme, janë hapur dy studio – njëra prej tyre në ambient të hapur, ku qielli do të jetë tavani i spektaklit. “Yje sipër, yje poshtë, yje gjithandej,” shtoi Ledioni, duke lënë të kuptohet se do të jetë një mbrëmje nën dritën e yjeve – literal dhe figurativisht.

Përveç shpalljes së fituesit, nata do të shndërrohet në një koncert të vërtetë 6-orësh me performanca të artistëve më të dashur, përfshirë edhe ish-banorë të shtëpisë që kanë prodhuar hite gjatë këtij sezoni. Surprizat nuk do të kufizohen vetëm për finalistët, por edhe për publikun, me pjesëmarrjen e figurave të njohura dhe të panjohura që do të sjellin emocion dhe befasi.

Publiku pritet të mbërrijë nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova për të ndjekur spektaklin live, ndërsa biletat mund të merren online apo në dy pika fizike në Kashar dhe Arena Center.

“Qëllimi është të jemi të gjithë bashkë, sepse publiku këtë vit ka qenë lojtari i gjashtë i shtëpisë,” përfundoi Ledioni.

You may also like