
Autori i dyshuar i grabitjes një ditë më parë në një pikë këmbimi valutor në qendër tregtare, 42-vjeçari Luan Maçi, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve të Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Ai ka pretenduar se u detyrua të kryente grabitjen për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij.
Sipas hetimeve, Maçi hyri në orët e para të mëngjesit në pikën “Exchange” të ‘Western Union’ në rrugën “5 Maji”, ku kërcënoi punonjësen me armë zjarri dhe mori një shumë prej rreth 1.2 milionë lekësh.
42-vjeçari, që ka precedentë të mëparshëm penalë, ishte i veshur me rroba të zeza dhe mbante mjekër gjatë grabitjes.
Hetuesit dyshojnë se ai e ka rruar mjekrën pasi u kthye në banesë për të ndryshuar pamjen dhe shmangur identifikimin nga policia.
