Sizmiologu Rrapo Ormeni tha sot se nuk ka vend për panik nga tërmeti i mbrëmjes së të martës në Belsh, lëkundjet e të cilit u ndjenë edhe në zona të tjera të vendit.
Sizmiologu theksoi se zona Lushnjë-Elbasan-Dibër është ndër më aktivet dhe është një segment që gjeneron herë pas here tërmete.

“Nuk ka vend për panik. Epiqendra e tërmetit është 6 km në perëndim të Belshit dhe 11 km në lindje të Lushnjës, gjithashtu dhe 23 km në jugperëndim të Elbasanit dhe 36 km në jug të Tiranës.
Është ndjerë fuqishëm në zonën epicentrale në Belsh e Lushnjë me intensitet 5 ballë. Është ndjerë dhe në Tiranë. ka pasur 2 pasgoditje. Në Elbasan, Tiranë e Berat është ndjerë me intensitet 4 ballë.
Zona Lushnjë-Elbasan-Dibër janë zonat më aktive të vendit, sepse është një thyerje e madhe që shtrihet deri në jug, në Vlorë-Fier-Lushnjë-Dibër dhe shkon deri në Tetovë e Gjilan.
Në këtë segment gjenerojnë herë pas here tërmete. Tërmetet kur kalojnë magnitudë 4.5 zakonisht shkaktojnë dëmtime”,-tha Ormeni.
