Monday, February 23, 2026
HomeALB“Transformim historik” për qytetin – Rama tregon çfarë do të bëjë shteti

“Transformim historik” për qytetin – Rama tregon çfarë do të bëjë shteti

Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti për rijetëzimin e zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe dezinformim, duke theksuar se bëhet fjalë për një ndërhyrje me rëndësi strategjike për të ardhmen e qytetit dhe për pozicionimin e Shqipërisë si destinacion turistik mesdhetar.

Sipas tij, Zona Arkeologjike A, ku do të zbatohet projekti TID, nuk mund të trajtohet si një hapësirë e zakonshme urbane apo si çështje e thjeshtë pronësie. Rama nënvizoi se kjo zonë përbën pjesë të thesarit të trashëgimisë kombëtare dhe njëkohësisht trashëgimi me vlerë botërore.

Ai përmendi monumente si Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin dhe Termat Romake, duke theksuar se ato janë pjesë e qytetërimit europian dhe jo vetëm e regjistrit kombëtar të monumenteve. Objektivi për përfshirjen e zonës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, sipas tij, e tejkalon dimensionin kombëtar dhe e kthen projektin në një detyrim ndërkombëtar.

Kreu i qeverisë argumentoi se Ligji për Trashëgiminë Kulturore e obligon shtetin të ndërhyjë për të parandaluar degradimin dhe ndërtimet informale në zona të mbrojtura. Ai solli si shembull praktikat e ndjekura në qytete si Roma dhe Athina, ku janë realizuar shpronësime për të nxjerrë në pah dhe për të mbrojtur pasurinë arkeologjike.

Në përfundim, Rama garantoi se procesi i shpronësimeve do të kryhet me ndjeshmëri dhe drejtësi ndaj banorëve, por me vendosmëri për të mbrojtur interesin kombëtar.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments