Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përcolli një mesazh nga salla e seancave të Parlamentit Europian në Bruksel, duke theksuar mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai nënvizoi se dokumenti i fundit i prezantuar në këtë institucion vlerëson ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave.
“Ju përshëndes nga salla kryesore e seancave të Parlamentit Europian në Bruksel, një institucion që mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Balla në një video-mesazh.
“Draft-rezoluta e prezantuar javën e kaluar vlerëson progresin e Shqipërisë, rekordin historik të hapjes së të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajsh dhe ambicjen tonë për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027”, shtoi ai.
Balla ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Seancën Plenare të Parlamentit Europian, ku do të mbajë një fjalim në kuadër të debatit “Investimi në të Ardhmen e Europës: Qëndrueshmëria e Tregut të Punës dhe Kohezioni Social”. Gjatë fjalimit, ai do të paraqesë progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në, reformat në tregun e punës dhe angazhimin për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027.
