Wednesday, February 25, 2026
HomeALBPasuritë e fshehura të sheikut Elvis Naçi nga qendra e fizioterapisë, lokale...

Pasuritë e fshehura të sheikut Elvis Naçi nga qendra e fizioterapisë, lokale e dyqane, në skenë vëllai Ilir Naçi, si avulluan miliona euro të tërmetit dhe operacioneve shëndetësore

Evidenca, dëshmi dhe rrethana të siguruara nga Prapaskena tregojnë se fondacioni familjar Firdeus i Elvis Naçit është një institucion kompleks korrupsioni, shpërdorimesh, zhvatje fondesh dhe pastrimi parash në pasuri të paluajtshme. Paratë e mbledhura për njerëzit në nevojë në vlerë miliona euro, janë kanalizuar dhe zhvatur, duke i investuar në pasuri të paluajtshme, luks, qoka, propagandë etj

Kjo qendër fizioterapie te Komuna e Parisit, një investim qindra mijëra euro, dyshohet se është një pasuri e Elvis Naçit, kamufluar në emrin e vëllait të tij, Ilir Naçi, i cili fillimisht kishte 90 % të aksioneve dhe aktualisht 50 % të aksioneve.

Qendra e fizioterapisë është hapur në shtator të vitit të kaluar, me burim të dyshimtë parash, kamufluar me një kompani fantazmë me kapital 100 mijë lekë.

Vëllai i Elvis Naçit, Ilir Naçi, është drejtori ekzekutiv i Fondacionit Firdeus, dora e hoxhës sheik për qarkullimin dhe avullimin e parave që mblidhen për bamirësi. Vëllai i Naçit shfaqet në të gjitha transaksionet dhe lëvizjet financiare të fondacionit me karakter familjar.

Në emrin e Ilir Naçit, trurit financiar të fondacionit lavatriçe rezultojnë disa pasuri të paluajtshme me vlerë miliona euro si apartamente, lokale dhe një hotel në Vlorë. Pronari real i këtyre pasurive dyshohet se është Elvis Naçi, ndërsa burimi i parave dyshohet se është fondacioni i tij familjar.

Një vit pas tërmetit, kur kishte mbledhur paratë, befas Naçi hapi një dyqan luksoz syzesh, ndërsa bëri thirrje që njerëzit të luteshin që t’i ecte mbarë pazari.

“Beni lutje vellezer dhe motra qe dyqani optikes, Optika Elitare Milano, qe kam hapur te na shkoje mbare, nese ecen mire kam deshire te dhuroje nje shtepi per nje Familje te varfer inshaAllah. Zoti ju begatofte. Amin”, shkruante Naçi në Facebook. Biznesi i ri me emrin “Optika Elitare Milano” është një investim me vlerë dhjetëra mijëra euro. Nuk dihet nëse këtë dyqan e ka ngritur me paratë e mbledhura për tërmetin apo me donacionet për njerëzit në nevojë, pasi Naçi ka disa linja mashtrimi dhe përvetësimi parash.

Bashkëshortja e Elvis Naçit. Fatime Naçi, e njohur si Fatma, rezulton anëtare e bordit drejtues të Fondacionit Firdeus, bashkë me Andi Qinamin, i cili është baxhanaku i Elvis Naçit. Emri i saj është lidhur gjithashtu me disa pasuri me burim të dyshimtë, përfshirë dyqane në Tiranë.

Pjesë e bordit janë Marvin Naçi, i cili është djali i xhaxhait të hoxhës sheik, si dhe Florian Brinja, i cili është djali i tezes së Naçit.

(Florina Brinja, Fatma dhe Elvis Naçi)

Në emër të rrethit të afërt të Naçit, pjesë të fondacionit si anëtarë bordi, figurojnë disa biznese, për të cilat nuk e dimë nëse burojnë apo jo nga fondacioni.

Skema e vjedhjes së parave për tërmetin

Elvis Naçi ka deklaruar që ndihmat e mbledhura nëpërmjet fondacionit Firdeus, për rastin e tërmetit, kapin vlerën e mbi 9 milionë eurove. Në 12 gusht të vitit 2020, Fondacioni Firdeus, përfaqësuar nga Elvis Naçi dhe Ministria e Shtetit për Rindërtim nga Arben Ahmetaj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e 168 banesave për të pastrehët në Thumanë.

“9 milionë e 50 mijë euro donacione nga shqiptarët për shqiptarët, do të shkojnë për rindërtimin e 168 banesave individuale në Thumanë, e në varësi të nevojës, edhe në njësi të tjera brenda zonës së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit“, thuhej në njoftimin zyrtar.

Nga të dhënat që ka siguruar Prapaskena, 160 shtëpi të ndërtuara nga Naçi dhe Ahmetaj me paratë e mbledhura nga Fondacioni Firdeus, përfshijnë në total rreth 13 mijë m2 ndërtim.

Një banesë është mesatarisht 80 m2. Qeveria hoqi TVSH dhe të gjitha taksat, duke ulur në maksimum koston e ndërtimit. Kostoja e ndërtimit nuk kalon më shumë se sa 300 euro metri katror.

Kujtojmë që në periferi të Tiranës, fondacione të tjera kanë ndërtuar shtëpi me kosto edhe 215 euro m2. Rreth 13 mijë m2 ndërtim, pra 168 banesa, kushtojnë 3.8 milionë euro. Fondacioni Firdeus ka deklaruat mbi 9 milionë euro donacione, plus 500 mijë euro që ia ka dhënë JOQ. Pra në total 9.5 milionë euro?

Ku shkuan 5.7 milionë euro?

5.7 milionë euro kanë avulluar në fondacionin e errët dhe familjar të Elvis Naçit. Nuk dihet nëse në këtë operacion hajnie ka marrë pjesë edhe Arben Ahmetaj (Tigri), stari i korrupsionit në nivelet e larta, i cili shfaqej kudo ku kishte para, sot në kërkim ndërkombëtar për korrupsion dhe pastrim parash.

Pastrim parash me spitalin?

Në nëntor 2019, fondacioni bamirës “Firdeus” i drejtuar nga hoxha popullor Elvis Naçi, tërhoqi vëmendjen mediatike kur u zbulua se pati blerë 100% të aksioneve të një spitali privat të vogël me emrin Continental për një shumë prej 350 mijë eurosh. Hoxha që grumbullon donacione në ndihmë të të varfërve, u ekspozua në këtë rast për fuqinë financiare të fondacionit Firdeus.

Naçi u mbrojt duke argumentuar se spitali do të shërbejë, mes të tjerash për të ofruar shërbim shëndetësor për njerëzit e varfër. Por ajo që nuk u vu re në atë kohë ishte gjendja financiare e kompanisë që u ble për këtë shumë.

Spitali Continental në fakt rezulton një sipërmarrje me humbje të vazhdueshme financiare, sipas të dhënave të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Befas, pas blerjes nga Naçi humbjet nisën të thelloheshin dhe xhiroja të rritej. Sa më shumë rritet xhiroja vjetore, aq më thumë thellohet humbja.

Në tetor të vitit 2021, Naçi i shiti Spitalin ‘Continental’ Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për një shumë prej 850 mijë euro.

Qarkullimi i parave që ngre dyshime të forta

Gjatë viteve 2020-2021, që përkojnë me kohën pasi Naçi mblodhi 9.5 milionë euro për tërmetin, xhiroja e Spitalit Continental në pronësi të Naçit është rreth 6 milionë euro, duke shënuar vlerën më të madhe. Në vitin 2020, edhe xhiroja vjetore ishte 2.5 milionë euro, spitali rezulton me humbje rreth 200 mijë euro. Në vitin 2021, xhiroja vjetore është 3.5 milionë euro, ndërsa fitimi rreth 220 mijë euro. Është i vetmi vit që spitali ka dalë me fitim.

Në vitet 2020-2021, Elvis Naçi ka qarkulluar në spital rreth 6 milionë euro, ka dalë me vetëm 20 mijë euro fitim, duke e shitur më pas spitalin 850 mijë euro nga 350 mijë euro që e bleu në 2019. A janë pastruar 5.7 milionë euro të mbledhura pas tërmetit me Spitalin Kontinental? Kush janë subjektet për të cilat ka lëshuar fatura spitali gjatë viteve 2020-2021?

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments