Pas indeksimit të pagave me 2.5% për punonjësit e administratës publike, policisë dhe mjekëve, përfitues të kësaj mase pritet të jenë edhe punonjësit e sistemit parauniversitar, përfshirë mësues, edukatorë të kopshteve, psikologë dhe oficerë të sigurisë.
Rritja në masën 2.5% do të realizohet mbi pagën bruto për çdo pozicion pune. Ashtu siç u zbatua edhe për kategoritë e tjera të administratës, edhe për punonjësit e arsimit parauniversitar parashikohet përveç indeksimit dhe shtesa mbi pagën sipas vjetërsisë. Efektet e rritjes do të llogariten nga 1 janari 2026.
Në projektvendim theksohet se indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit, në masën 2.5% dhe do të realizohet për të gjithë punonjësit mësimorë dhe punonjësit e tjerë jomësimorë, në arsimin parauniversitar, për vitin 2026, njëjtë si edhe për funksionarët/nëpunësit civilë/nëpunësit në të gjitha institucionet e administratës publike.
Nëpërmjet këtij projektvendimi realizohet indeksimi në masën 2.5% i elementit të pagës bruto mujore “paga për pozicion”. Ndërkohë meqenëse llogaritja e elementit tjetër të pagës bruto mujore shtesa për vjetërsi në punë” aplikohet mbi pagën për pozicion, automatikisht edhe ky element indeksohet me 2.5% deri në 5.17%.
Më konkretisht indeksimi i vlerave të pagës për pozicion, reflektohet në të tre lidhjet e pagave të vendimit nr. 425/2024, aktualisht në fuqi, për punonjësit mësimorë, për punonjësit e shërbimit psiko-social, dhe për punonjësit e tjerë jomësimorë, të institucioneve arsimore dhe plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar.
Gjithashtu, për punonjësit e sistemit të arsimit parauniversitar, si edukatorë, kujdestar konvikti, mësues, punonjës psiko-social, oficer i sigurisë, instruktorë dhe koordinatorë të cilët aktualisht kanë një vlerë të pagës për pozicion nga 58,000 lekë në muaj deri në 74,000 lekë në muaj, nëpërmjet këtij projektvendimi, parashikohet përveç indeksimit në masën 2.5%, edhe një rritje e vlerës së pagës për pozicion, duke e çuar rritjen e pagave për këta punonjës në total në masën 3,000 lekë në muaj, apo 4 deri në 5.17%”, theksohet në relacion.
Nga miratimi i këtij projektvendimi përfitojnë rreth 36,390 punonjës mësimorë dhe jomësimorë.
