Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë në Greqi, ku një 64-vjeçar shqiptar akuzohet për abuzim seksual ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara.
Së fundmi, vajza e të dyshuarit ka bërë një deklaratë publike ku pretendon se edhe ajo ka qenë viktimë e të atit në fëmijëri. Ajo ka rrëfyer se ngjarja kishte ndodhur kur ishte vetëm 7 vjeç dhe se për vite me radhë kishte heshtur nga frika.
“E mbaja brenda vetes për shumë vite. Kisha frikë dhe nuk dija si të reagoja”, është shprehur ajo për mediat greke.
Sipas saj, kur ka tentuar të përballet me të atin për të kaluarën, ai ka mohuar gjithçka dhe ka refuzuar të marrë përgjegjësi për veprimet e tij. Ajo gjithashtu pretendon se nëna e saj kishte dijeni për ngjarjen, por nuk kishte ndërhyrë.
Ndërkohë, policia e Athinës ka nisur një operacion kërkimi në qendër dhe në periferitë jugore të qytetit për kapjen e 64-vjeçarit, i cili ndodhet ende në arrati. Autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë duke u fshehur me ndihmën e një personi të njohur dhe vlerësojnë si të pamundur daljen e tij jashtë vendit.
Hetimet vijojnë.
