Nesër (të martën) në orën 12:00 do të hapet rruga provizore në aksin Librazhd-Prrenjas, duke zhbllokuar qarkullimin drejt juglindjes.
Lajmin e bëri të ditur kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili tha se kalimi do të jetë për të gjitha mjetet, makina të vogla, mjete transporti të qytetarëve dhe kamionat. Rruga provizore po ndërtohet midis Korridorit VIII dhe rrugës ekzistuese e cila është shembur.
Ndërkohë kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli është shprehur se aksi i ri alternativ i rrugës Librazhd-Prrenjas do të ketë një gjerësi prej 9 metër.
“Rruga do të hapet duke filluar nga dita e nesërme në orën 12:00. Gjatë kësaj periudhe, masat që morëm në këshillin teknik për devijimin e rrjedhës së lumit, që të mos godisnin më poshtë hekurudhës dhe me lehtësimin e trupit të rrëshqitur na shërbeu shumë për të bërë punën parapërgatitore që u bë gjatë këtyre ditëve, për të bërë të mundur hapjen e trafikut. Aksi i ri do të jetë i hapur për të gjitha mjetet. Rruga nuk ka shfaqur asnjë lloj cedimi. Kjo është edhe fryt i masave të marra gjatë këtyre ditëve, ku është devijimi i rrjedhës së lumit që na ka shmangur goditjen nga poshtë. Ai aks do të ketë një gjerësi prej 9 metër. Ne si Autiritet morëm vendim për pezullimin e punimeve në Korridorin VIII, deri në përfundim të punimeve për rrugën alternative”, tha Kozeli.
