Skenari i protestës së Berishës tanimë është i qartë, një protestë marshim dhe “paqësore”. Demokratët nuk arritën që të kalonin kordonin e vendosur nga Policia, me qëllim për t’u afruar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Pas përplasjeve me efektivët, ata u nisën drejt Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që deputeti Flamur Noka, deklaroi se Tirana sot është e qytetarëve dhe ata do të marshojnë në çdo cep të saj.

Sakaq, si pasojë e përplasjeve dhe gazit lotsjellës të hedhur ka mbetur i lënduar deputeti demokrat, Luçiano Boçi. Burime për mediat bëjnë me dije se ai ka shfaqur probleme me frymëmarrjen si dhe me sytë, kjo si pasojë e gazit të hedhur.
Sakaq, mësohet se efektivët e policisë janë pozicionuar para ambienteve të selisë rozë, pasi pritet që tensionet në “shtëpinë” socialistëve të përshkallëzohen.
