Në një nga institucionet më të rëndësishme të infrastrukturës detare në vend, Autoriteti Portual Durrës, është rikthyer një post që prej vitesh mungonte në organigramë.
Bëhet fjalë për emërimin e një 24-vjeçari në detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm – një pozicion që ishte hequr disa vite më parë nga struktura organizative. Ky funksion ishte eliminuar gjatë kohës kur drejtimin e institucionit e mbante Pirro Vengu, aktualisht ministër i Mbrojtjes, i cili në atë periudhë kishte vendosur ta hiqte postin nga organigrama e APD-së.
Tashmë, posti është rikthyer dhe i është besuar një emri të ri, vetëm 24 vjeç, duke nxitur diskutime dhe reagime në lidhje me këtë lëvizje në portin më të madh të vendit.
I emëruari është Rubin Rredhi, i cili sapo ka përfunduar studimet universitare dhe do të mbajë përgjegjësinë e këtij pozicioni drejtues. Ndërkohë, drejtori aktual i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, duket se ka vendosur të rikthejë këtë hallkë drejtuese në strukturën e institucionit.
Ky zhvillim ka sjellë debat publik mbi kriteret e përzgjedhjes, eksperiencën profesionale dhe mënyrën e organizimit të një prej nyjeve më strategjike të infrastrukturës kombëtare.

