Sunday, March 1, 2026
HomeCastlesKuvendi nis me ultimatume, Rama paralajmëron ndryshim e madh…

Kuvendi nis me ultimatume, Rama paralajmëron ndryshim e madh…

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, deputetët do t’i rikthehen punës të hënën, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve që do të miratojë kalendarin dhe programin e punës për pesë javët e ardhshme.

Seanca e parë plenare e sesionit të dytë të legjislaturës së XI është parashikuar të zhvillohet pasditen e së hënës në orën 17:00, ndërsa më herët gjatë ditës do të mblidhet edhe komisioni parlamentar i reformave, i drejtuar nga Fatmir Xhafa.

Reformat pritet të jenë boshti kryesor i këtij sesioni, por njëkohësisht edhe burim përplasjesh politike.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mazhoranca nuk do të tolerojë më bllokimin e punimeve të Kuvendit nga opozita, duke e cilësuar këtë sjellje si “pengmarrje” të institucionit përmes procedurave.

Rama ka hedhur idenë e ndryshimit të rregullores së Kuvendit dhe ka theksuar se socialistët janë të hapur për dialog, por në mungesë të tij reformat do t’i çojnë përpara edhe të vetëm. Ai ka kërkuar gjithashtu shtim të orëve të punës dhe rritje të numrit të seancave plenare.

Mazhoranca e konsideron urgjente reformën zgjedhore dhe atë territoriale, të cilat duhet të përmbyllen brenda korrikut, pasi zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen me një Kod Zgjedhor dhe një hartë të re territoriale.

Opozita i ka bojkotuar këto procese që prej dhjetorit dhe nuk ka sinjalizuar rikthim në tryezë. Socialistët kanë paralajmëruar se do të presin reflektim nga opozita vetëm deri në nisjen e këtij sesioni, përndryshe do të heqin dorë nga parimi i konsensusit dhe do të marrin shumicën e vendeve në komisionet e reformës.

Ende mbetet për t’u parë nëse kjo do të përkthehet në veprime konkrete, në një kohë kur Bashkimi Europian ka kërkuar reforma gjithëpërfshirëse dhe jo të njëanshme.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments