Një deklaratë e fortë e këshilltarit të Partisë Socialiste, Alfred Muharremi, ka shkaktuar reagime dhe debate të shumta në rrjetet sociale.
I ftuar në një emision televiziv, Muharremi komentoi protestën qytetare që po zhvillohet prej disa ditësh, duke kundërshtuar ashpër sloganet e përdorura nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama.
Gjatë debatit në studio, ai reagoi ndaj thirrjes “Rama në burg”, duke mbrojtur kreun e qeverisë dhe duke vënë në pikëpyetje akuzat e ngritura ndaj tij.
“Për çfarë duhet të shkojë Rama në burg?! Çfarë ka shitur Rama? Çfarë ju ka tradhtuar Rama këtyre? Çfarë ju ka shitur Rama, shqiptarëve?! Sytë që t’u dalin!”, u shpreh Muharremi, një deklaratë që u përhap me shpejtësi në rrjet.
Më tej, ai tha se prej disa ditësh persona të ndryshëm po merren edhe me familjen e tij për shkak të qëndrimeve publike që ka mbajtur në media dhe rrjete sociale.
“Flas kështu sepse kanë disa ditë që merren me familjen time vetëm sepse unë kam një mendim ndryshe”, deklaroi ai.
Pas publikimit të videos, deklarata e Muharremit ka nxitur reagime të shumta, me qytetarë që janë ndarë mes atyre që mbështesin qëndrimin e tij dhe atyre që e kanë kritikuar gjuhën e përdorur gjatë debatit.
Videoja vijon të qarkullojë gjerësisht në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga momentet më të komentuara të debatit politik të ditës.
