Vajza e Ziver Veizit, i cili mbeti i vrarë në protestën e 21 Janarit, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani.
Ajo thotë se Cakrani ka kaluar çdo limit duke e konsideruar si të pavërtetë deklaratën se Veizi, kishte precedentë penalë në Greqi dhe se ishte sjellë në Shqipëri për të nxitur trazira.
Vajza e të ndjerit ka paralajmëruar padi në gjykatë kundër avokat Cakranit.
“I ashtuquajturi avokat, z. Cakrani, nuk e di sesi mund të kalojë çdo lloj limiti dhe të shpikë në një formë të tillë. Dua t’ju sqaroj ju, si emisioni Off The Record, se është e vërtetë që im atë ka ardhur nga Greqia enkas për protestën, por ai nuk ka qenë atje sepse ishte i dënuar, por sepse kishte shkuar te motra e tij, halla ime, e cila jeton atje, për një vizitë, pasi nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Unë kam qenë 11 vjeç, vëllai im 14, dhe jemi takuar vazhdimisht me babanë tonë, i cili ka jetuar në Gjirokastër dhe nuk ka pasur probleme të tilla, siç i shpik avokati pas 15 vitesh. Ky është një sqarim që unë, si vajza e tij, e ndiej të nevojshëm ta bëj. Sa i përket avokatit, besoj se shumë shpejt do të shihemi me të në gjykatë për shpifje…”,shprehet Ana Veizi.
Në emisionin “Off The Record”, avokati Kujtim Cakrani pretendoi se i ndieri Ziver Veizi ishte dënuar për vjedhje dhe se vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës kur ushtronte detyrën në Gjirokastër.
