Artisti i njohur Gjesti raportohet se është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa së fundmi kanë dalë edhe detaje të reja mbi arsyen e këtij arrestimi.
Sipas burimeve të mediave kosovare, këngëtari dyshohet se ka shkuar i armatosur tek Erkand Shabani, pronari i kompanisë muzikore “Onima”, ku thuhet se situata ka përfunduar me kërcënim me armë zjarri.
Burime për “Demantim News” bëjnë të ditur se kjo nuk është hera e parë që Gjesti dhe njerëz të afërt me të kanë pasur përplasje me pronarin e kësaj kompanie. Megjithatë, këtë herë situata duket se ka qenë më e rëndë, pasi sipas raportimeve vetë këngëtari e ka kërcënuar atë me armë.
Mësohet se përplasja mes palëve lidhet edhe me një kontratë që Gjesti kishte nënshkruar më herët me kompaninë “Onima”. Pas daljes së tij nga “Big Brother VIP Albania 3”, këngëtari thuhet se ka kërkuar ta shkëpusë këtë kontratë, duke mos respektuar disa nga kushtet e saj.
Kjo situatë duket se ka çuar në tension mes dy palëve dhe dyshohet se është bërë shkak për konfliktin që përfundoi me ndërhyrjen e policisë.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga vetë Gjesti lidhur me këtë çështje, ndërsa pritet që në vijim të dalin edhe detaje të tjera rreth ngjarjes që po bën bujë në rrjet.
