Xhixho reagon pas ndërprerjes së energjisë në QSUT: U rrezikuan jetë njerëzish, kërkojmë hetim dhe përgjegjësi
Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë pas një defekti në linjën e tensionit të lartë në Tiranë.
Sipas saj, ndërprerja e energjisë preku disa pavione kritike të QSUT-së, përfshirë reanimacionin qendror dhe sallat kirurgjikale, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve. Xhixho theksoi se mungesa ose mosfunksionimi i sistemeve rezervë përbën një dështim të rëndë në menaxhimin e shërbimeve jetike.
“Nuk bëhet fjalë për një incident teknik apo një defekt të rastësishëm. Ky është një dështim i pafalshëm shtetëror. Në asnjë vend të botës reanimacioni dhe sallat e operacionit nuk mbeten pa energji elektrike”, u shpreh ajo.
Xhixho deklaroi se kjo ngjarje nuk është e izoluar, por pasqyron gjendjen reale të shëndetësisë publike në vend. Ajo ngriti shqetësime edhe për mungesën e pajisjeve jetike në QSUT dhe Spitalin Onkologjik, për ndërprerjen e shërbimeve për pacientët me kancer, si dhe për kushtet e papërshtatshme në të cilat trajtohen pacientët.
Sipas saj, Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë, niveli më i ulët në rajon, ndërsa qytetarët mbulojnë nga xhepi rreth 60% të shpenzimeve shëndetësore.
Në përfundim, Xhixho kërkoi një hetim të plotë për ngjarjen në QSUT dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, duke bërë gjithashtu thirrje për protestë më 24 janar, në orën 17:00.
