Një përplasje e fortë familjare ka dalë në dritë lidhur me gazetarin Arjan Çani, pas deklaratave të bujshme të xhaxhait të tij, Flamur Çani, i cili e akuzon publikisht për mohim të origjinës dhe për përfitime nga familja që sot, sipas tij, i ka kthyer shpinën.
“Arjani? Arjani mund të mohojë edhe babanë, jo më xhaxhanë dhe origjinën. Po baba a ke ti more djalë?” – shprehet Flamur Çani për gazetën Dita, duke reaguar ndaj shkrimeve të nipit të tij.
Sipas tij, Arjan Çani ka përfituar nga familja për të ndërtuar rrugëtimin e tij arsimor, përfshirë edhe një bursë për në shkollën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, që fillimisht i përkiste një nxënësi ekselent.
“Ishte vetëm një bursë. Unë ndërhyra që t’ia jepnin Arjanit. Ai tjetri ishte nxënës i shkëlqyer, Arjani kishte mesatare 5.2, por e mora përsipër. U mbrojta duke thënë se ishte nip dëshmori,” – rrëfen ai.
Më tej, Flamur Çani pretendon se marrëdhëniet mes tyre janë prishur prej vitesh dhe se Arjani ka mohuar njerëzit që e kanë ndihmuar dikur.
“Kur isha me pushtet, më rrinte pas si këlysh. Tani nuk më hap as telefonin. Ka përfituar nga ata që sot i mohon,” – thotë ai.
Deklaratat përfshijnë edhe episode të jetës personale të gazetarit, të cilat Flamur Çani i përmend si shembuj të sjelljes së tij problematike.
