Vrasje para derës së shtëpisë e Pjetës Kazës– Çfarë mesazhi lanë autorët para derës së viktimës?”

“Hakmarrje pa fund: Vrasja që tronditi Lezhën dhe një histori gjaku që zgjat prej 30 vitesh”

Një tjetër viktimë në sagën e përgjakshme mes familjeve Kaza dhe Gjoni. Këtë herë, 57-vjeçari Pjetër Kaza u vra brutalisht në derën e shtëpisë, një detaj që sipas gazetares Dorjana Bezat, tregon qartë një mesazh hakmarrjeje.

E ftuar në një panel televiziv, Bezat dha një panoramë tronditëse të zinxhirit të vrasjeve që ka nisur që në vitin 1994, ku gjithçka nisi me vrasjen e Ndue Kazës, vëllait të viktimës së fundit. Ndue, një mësues matematike që në atë kohë kishte marrë një kurs policie, u qëllua gjatë një kontrolli ndaj dy personave të armatosur. Pas kësaj, vëllai i tij mori hakun, duke ekzekutuar autorët.

Por gjakderdhja nuk ndaloi me kaq. Në 2004, një tjetër akt hakmarrjeje ndodhi jashtë Shqipërisë, në Belgjikë, ku u vranë vëllai tjetër i Pjetrit dhe nipi i viktimës së parë – duke çuar bilancin në katër viktima. Pjetri është i pesti.

“Ai ishte kthyer nga puna, mund të ishte vrarë kudo. Por u vra në derën e banesës – ky ishte një mesazh i qartë”, tha gazetarja. Policia ka fokusuar hetimet tek pista e gjakmarrjes, pasi nuk rezulton që viktima të ketë pasur konflikte të tjera.

Bezat tregoi se ka pasur tentativa për pajtim nga familja Gjini ndër vite, duke pretenduar se vrasja e vitit 1994 ishte një aksident nga frika, jo një akt i qëllimshëm kundër familjes Kaza. Por duket se dështuan jo vetëm pajtimet, por edhe kodi i Kanunit, ligji i shtetit dhe i shoqërisë.