Thursday, January 15, 2026
HomeALBVlora pa ujë/ Anëtari i Këshillit Bashkiak: Humbi tubacioni me vlerë 400...

Vlora pa ujë/ Anëtari i Këshillit Bashkiak: Humbi tubacioni me vlerë 400 mijë euro, fondet janë vjedhur 100%

Qyteti i Vlorës ka hyrë në ditën e katërt pa ujë të pijshëm, një situatë që ka kulmuar me protesta qytetare përballë arrogancës së pushtetit vendor, i cili vijoi me një mbrëmje gala në teatër ndërsa banorët kërkonin zgjidhje.

Anëtari i opozitës në Këshillin Bashkiak në Bashkinë Vlorë, Geron Gunbardhi i ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, nën moderimin e Flavio Qarrit, hedh dritë mbi një skandal të thellë keqmenaxhimi dhe korrupsioni, ku flitet për mbi 110 milionë euro investime të zhdukura dhe akuza për një “grup të strukturuar kriminal” në krye të ujësjellësit.

Shkaku i krizës aktuale, dyshohet të jetë bërë dëmtimi i një tubacioni që i përket një investimi prej 22 milionë eurosh, të kryer nga një kompani holandeze në vitin 2009. Sipas këshilltarit të opozitës, patronazhistët pranë pushtetit u përpoqën fillimisht t’ia faturonin fajin qeverisjes së Sali Berishës, por e vërteta qëndron te paaftësia dhe vjedhja sistematike që ka pllakosur ndërmarrjen e ujësjellësit. Që prej vitit 2009, në ujësjellësin e Vlorës dhe atë të Novoselës janë investuar rreth 110 milionë euro.

“Me këto para, jo vetëm që Vlora do të kishte ujë 24 orë, por mund të furnizonim me ujë edhe Pulian në Itali,” deklaron anëtari i Këshillit Bashkiak, duke theksuar përmasat e abuzimit. Sipas tij, fondet janë vjedhur në masën 100%, duke e lënë qytetin në një krizë të përhershme.

Kulmi i situatës u arrit gjatë protestës së qytetarëve para teatrit “Petro Marko”, ku Bashkia organizonte një mbrëmje gala. Ndërsa banorët, mes tyre edhe emigrantë të kthyer për pushime, kërkonin llogari për mungesën e ujit, drejtuesit vendorë hynë nga dera e pasme e teatrit për të nisur shfaqjen, duke treguar një shpërfillje totale ndaj hallit të tyre.

“Ky ishte acarimi i qytetarëve, përballë aristokratëve të rinj që duan të festojnë ndërsa populli nuk ka ujë as për t’u larë,” shprehet këshilltari. Për opozitën, përgjegjësia është e drejtpërdrejtë dhe e lidhur me vendime politike. Ata kritikojnë kalimin e ndërmarrjes së ujësjellësit në varësi të qeverisë qendrore, një vendim i shtyrë nga ministrja Belinda Balluku dhe i miratuar nga mazhoranca socialiste në Këshill, pavarësisht paralajmërimeve se kjo do të thellonte problemet. Menjëherë pas këtij vendimi, u rritën edhe tarifat e ujit për qytetarët, të cilët tani paguajnë më shumë për një shërbim që nuk e marrin.

Skandalet nuk ndalen me kaq. Përveç përgjegjësisë për përmbytjet e tetorit në Vlorë, për të cilat KLSH ka nxjerrë një raport me abuzime flagrante, zbulohet edhe një “çudi” tjetër: humbja e një tubacioni me vlerë 400,000 euro. “Thjesht nuk gjendet fare, është zhdukur,” denoncon opozita. Në këtë kontekst, ata i kujtojnë ministres Balluku deklaratën e saj të mëparshme, ku e cilësoi menaxhimin e ujësjellësit si një “grup të strukturuar kriminal”. Tani, opozita i bën thirrje që, kur të paraqitet në SPAK për çështje të tjera, të dorëzojë edhe dosjen e këtij grupi që prej vitesh mban peng qytetin e Vlorës.

Pra, qyteti ka nevojë dhe për kulturë dhe për art. Dhe ajo që i shqetësoi qytetarët e Vlorës, pavarësisht se patronazhistët që të cilët janë dhe administratorë pallatesh, kishin dy ditë që e kishin zbuluar fajin, për arsye dhe më duket se e kishin gjetur me të vërtetë radhë, fajin e ka Saliu. Pasi në vitin 2009 një kompani holandeze ka hedhur në qytetin e Vlorës 22 milionë euro, investim për këto tubot. Dhe një nga këto tubat e kanë dëmtuar, a është goditur, a ka plasur, nuk e dimë cila është e vërteta, ka plasur dhe ka lënë qytetin e Vlorës pa ujë prej katër ditësh. Më 2009-ën, prandaj patronazhistët ja zbuluan që fajin e ka Saliu. Dhe mbas 22 milionë eurove të vitit 2009 deri më sot, ujësjellësi i Vlorës ka marrë 100 milionë euro ose 110 bashkë me ujësjellësin e Novoselës. Pra në qoftë se ky investim do të kryhej dhe nuk do të vidhej, mendoj që ne do t’i kishim dhënë ujë dhe Puljas, e cila ka pasur mungesë të theksuar, do çonim dhe ujë në Itali me 110 milionë euro investime. Dhe qyteti i Vlorës nuk ka ujë.

Ne si anëtarë të opozitës në Këshillin Bashkiak, qysh në vitin 2023 të mbledhjes së parë të kryetarit të Bashkisë, zotit Dredha, kaluan ndërmarrjen e ujësjellësit në ndërmarrjen shtetërore. Pra dhanë kuotat që u bashkua ndërmarrja. Ne si opozitë e ngritëm me shumë forcë atëherë, kemi bërë dhe ankesat, kemi bërë dhe kallëzimet penale përkatëse, për arsye se i kërkuam, i kërkuam zotit Dredha në atë kohë që në radhë të parë ujësjellësi të përmirësohet, qytetarët të kenë ujë, pastaj të bëhen prova dhe pastaj të bëhen menaxhime të ndryshme. Por insistimi i i ministrisë së zotit Bela ishte, Belinda Balluku, ishte i menjëhershëm dhe duhet të kalonte që në mbledhjen e parë. Dhe këshilltarët, kolegët socialistë, të cilët kanë dhe votat e shumta në Këshillin Bashkiak, ngritën dorën pa na dëgjuar dhe pa na ashtu. Ndodhi çudia ato që thamë ne, mbas dy muajsh erdhën prapë në këshill dhe ngritën tarifat e ujit të qytetarëve. Pra qytetarët dhe vidhen dhe nuk kanë ujë dhe nuk kanë shërbime. Edhe dhunohen, edhe arrestohen. Dhe, jo, arrestimi qe i djeshëm se duke e parë që për herë të parë dhe këtu gjej vendin të falenderoj shumë qytetarë të cilët nuk është se i njihnim, kishin ardhur nga vendet e Evropës, të cilët deshën të bënin dhe akte të tjera siç u dëgjua aty në një komentues që të hidhnin dhe gjëra të tjera teatrit. Ne si këshilltarë u munduam që mos të kishte asnjë incident në teatër, përfshi dhe derën që e bëri policia atë pjesë të konfuzionit në fillim që u konfrontuam me me protestuesit.

Pra, u përpoqëm dhe u munduam që mos të kishte incident. Mos të kishte incident se do na linin turpin që prishën teatrin. Do na linin pjesën, pra, ne po i kërkonim, gjithë protestuesit po i kërkonim të mos të vazhdohet mbrëmja Gala, të dalë kryebashkiakja, të thotë si është situata e ujit dhe kaq e tërë qëllimi i protestës sonte në mbrëmje. Me, me një arrogancë të jashtëzakonshme, hynë nga dera e pasme dhe u bën gati të filluan, të fillonin shfaqjen. Pra, kjo qe gjithë arroganca e pushtetit që deshi me se s’bën t’u tregonte qytetarëve që ju rini pa vajtur në tualet, ju rini pa u larë dhe ne, aristokratët e rinj të këtij qyteti që duhen të bëhen patjetër aristokratë, duhet t’i tregonin qytetarëve që ju le të jeni pa larë, ne jemi ajka e këtij qyteti. Pra ne vërtetë punojmë si patronazhista, por ne kemi të drejtën tonë të bëjmë një, në vit, të bëjmë një mbrëmje gala, pra t’u tregojmë pjesës tjetër që ne jemi. Dhe ky qe acarimi i qytetarëve, të cilët, ëh, siç ju thashë, duhet t’ju, duhet t’i falenderoj të gjithë, mbasi dolën dhe nga teatri, ndenjëm për rreth një orë në rrugë, bllokuam dhe rrugën. Por qytetarët nuk u bashkuan të ishte protesta aq shumë e madhe sa duhet të pritej, për arsye se ishin të zënë ato momente, bashkia ju afroi dy-tre pika me botë dhe ishin në radhë e kishin ardhur se po të vinin në protestë, do t’u ikte radha për të mbushur, për të mbushur ujin.

Nuk është një situatë që ndodh për herë të parë në ujësjellësin e Vlorës. Ujësjellësi i Vlorës ishte përgjegjës në vitin 2024 në tetor për përmbytjen e qytetit, i cili në, në fonde, sipas KLSH-së, kishte harxhuar kanale për të vajtur dhe për të ardhur deri në Milano. Pra, kishte pastruar kanalet në letër. Kjo është sipas raportit të KLSH-së, i cili ka mbërritur në qytetin e Vlorës, ku fajton 100% ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimit Vlorë për abuzim me fondet. Në, në atë kohë, mbasi ne si Këshill Bashkiak i çuam, bëmë dhe kallëzim penal për përmbytjen, për dëmet e qytetarëve, për shpalljen e emergjencës, erdhi vetë zonja Balluku dhe i quajti grup të strukturuar kriminal. Dhe më bëhet qejfi që zonja Balluku e zbuloi këtë grup në kohën e duhur dhe ka gjithë kohën e duhur tani kur të vejë në SPAK, meqë do vejë për veten e saj, të çojë dhe grupin e strukturuar të Vlorës, pasi kishte shumë të drejtë që u bashkua me ne të opozitës për këtë pikë që qytetarët e Vlorës ngelen pa ujë vetëm për vjedhje. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Vlorën e ka bekuar Zoti, qoftë në klima, qoftë në ujë, qoftë në çdo gjë. Por për fat të keq, Vlora është e vjedhur me 1 miliardë euro të hedhura në qytetin e Vlorës, nga qeveria, Vlora do të ishte një qytet që do ta kishin zili gjithë qytetet evropiane.

Por përveç Lungomares, po të dalësh nëpër lagje, të gjitha rrugët e Vlorës janë të çara, po nga projekti i ujësjellësit i riu, i parafundit, i cili ja lënë të gjitha rrugët e hapura, në çdo, qoftë në behar, qoftë në fundvit që vijnë emigrantët, rrugët janë të çara, qyteti është në kaos, pasi këto rrugë përbëjnë dhe problem në trafik. Përfshi pastaj dhe zonën e Novoselës, aty është një çudi tjetër. Janë hedhur rreth 12 milionë euro, nuk ka mbaruar akoma, akoma projekti dhe fshatrat si Panajaja, Oshtima dhe shumë fshatra të tjera aty janë pa asnjë pikë ujë ose u vete uji me orar. Pra, të hedhësh në, në katër fshatra që mund, mund të jenë sa dy pallate në Vlorë si banorë, të hedhësh 12 milionë euro dhe prapë nuk ka ujë. Këto çudira ndodhin vetëm me ujësjellës-kanalizimet e Vlorës. Pra, është keqmenaxhuar dhe është vjedhur. Një çudi tjetër më 2022-in a ’23-shin, ka humbur një investim i një tubo rreth 400.000 euro. Pra nuk po gjendet tuboja fare, nuk është se e kanë vënë të vogël. Domethënë këto janë çudira që nuk e di, ndonjë ditë të bukur mund të vijë ndonjë regjisor i Holliëoodit të bëjë ndonjë, ndonjë film, se këta arrijnë deri në mosvënien e tubos fare dhe qytetarët me të drejtë kërkojnë ujë. Kërkojnë ujë, kërkojnë zgjidhje, e cila nuk është gjë që erdhi sot, nga keqmenaxhimi i kryetares së re, është një problematikë që ka qenë në gjithë këto vite. Pra, Vlora vazhdon dhe do të vazhdojë dhe vite të tjera problemin e ujësjellës-kanalizimeve, se fondet 100% janë vjedhur. Ky është problemi që ka ujësjellësi i Vlorës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments