Tuesday, February 10, 2026
HomeALB“Vizita që po trondit Jerusalem: Rama flet drejtpërdrejt në parlamentin izraelit”

“Vizita që po trondit Jerusalem: Rama flet drejtpërdrejt në parlamentin izraelit”

Kryeministri Edi Rama ndodhet prej dje në Jerusalem për një vizitë zyrtare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe një delegacion shqiptar. Kjo vizitë realizohet në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit dhe përfshin një agjendë të ngjeshur takimesh dhe aktivitetesh në nivel shtetëror. Momenti më i rëndësishëm i vizitës do të jetë fjalimi i tij në seancën plenare speciale të Knessetit, Parlamenti i Izraelit, i cili do të mbahet sot në orën 16:15. Ky fjalim konsiderohet historik, pasi realizohet sipas një protokolli të posaçëm që Knesseti i rezervon vetëm një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj, të përzgjedhur për rëndësi politike dhe simbolike. Për krahasim, disa muaj më parë të njëjtit parlament i ishte drejtuar edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Në orët e mëngjesit, nga 11:00 deri në 12:30, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasojë me bisedime mes dy delegacioneve dhe do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët për shtyp. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Linda Rama, së bashku me Michal Herzog, bashkëshorten e Presidentit të Izraelit, do të vizitojnë Bibliotekën Kombëtare të Izraelit.

Në orën 14:00, Rama dhe Linda Rama do të mbërrijnë në Knesset Plaza, ku do të priten me një ceremoni shtetërore nga kryetari i parlamentit, Amir Ohana, ndërsa më pas kryeministri do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Chagall. Rreth orës 14:30, Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me kryetarin e Knessetit. Seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë, nis në orën 16:15. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën kryetari i parlamentit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, lideri i opozitës Yair Lapid, dhe kryeministri Rama, i cili do të drejtohet drejtpërdrejt Parlamentit të Izraelit në një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që u ka rezervuar Knesseti vetëm udhëheqësve të zgjedhur.

Pas fjalimit, në orën 17:15, Rama do të marrë pjesë në një pritje zyrtare me ambasadorët dhe të ftuarit, ndërsa Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare të Izraelit. Më 27 janar, kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalim në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit të tij në Jerusalem, Rama do të realizojë edhe vizita simbolike në Murin e Lotëve dhe Kishën e Varrit të Krishtit, duke i dhënë kësaj vizite një dimension historik dhe kulturor të veçantë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments