Viti 2026 nisi me ujë mbi prag për një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë. Vetëm pak ditë pas ndërrimit të viteve, mijëra familje në zona si Shkodra, Lezha, Malësia e Madhe, Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra u përballën me një skenar tashmë të njohur: përmbytje masive të banesave, tokave bujqësore dhe infrastrukturës rrugore e hidroteknike. Një krizë që, edhe këtë herë, nuk erdhi pa paralajmërim.
Alarmet për reshje intensive u dhanë disa ditë më parë. Thirrjet për “kujdes të shtuar” u përsëritën, ndërsa pas tyre nisi rituali i zakonshëm i emergjencave: mbledhje të Shtabit të Emergjencave Civile, ministra dhe deputetë në terren, deklarata periodike dhe raporte për situatën. Një skemë që përsëritet pothuajse identikisht sa herë natyra vë në provë kapacitetet tona.
Më pas vjen faza më e heshtur: një lajm i ri zëvendëson tjetrin në ciklin mediatik, ndërsa në terren mbeten pasojat e përmbytjeve dhe familjet e prekura, të detyruara të rindërtojnë jetën edhe një herë nga e para.
Përmbytjet e janarit rezultuan atipike, si për zonat e prekura, ashtu edhe për shkallën e dëmeve. Çdo rast mbart specifikat e veta: herë kemi të bëjmë me fenomene natyrore ekstreme, herë me neglizhencë njerëzore dhe institucionale, e shpesh me një kombinim të rrezikshëm të të dyjave.
Në këtë panoramë, disa pyetje bëhen të pashmangshme:
A janë respektuar kërkesat ligjore për zbrazjen në kohë të digave bujqësore, të parashikuara që në muajin tetor?
A janë mirëmbajtur dhe lartësuar argjinaturat në përputhje me shpeshtimin e fenomeneve ekstreme?
Sa funksionalë janë kanalet parësorë dhe sekondarë të kullimit?
Dhe mbi të gjitha, çfarë peshe ka pasur papërgjegjshmëria jonë kolektive, përfshirë ndërtimet pa leje dhe ndërhyrjet e pakontrolluara në territor?
Në qendër të debatit u rikthyen edhe digat e energjisë. KESH njoftoi për shkarkime të kontrolluara në kaskadën e Drinit, ndërsa Statkraft për shkarkime në digën e Banjës, duke theksuar se këto masa synonin rritjen e sigurisë dhe funksionimit të digave.
Historia tregon se Shqipëria përjetoi përmbytjen më shkatërruese në vitet 1962–1963, kur zona të tëra mes disa lumenjve u mbuluan nga uji. Që prej asaj kohe, pavarësisht reshjeve intensive ndër vite, një situatë e tillë nuk është përsëritur në të njëjtën shkallë.
Sipas ekspertëve, ajo periudhë shënoi një pikë kthese në qasjen e shtetit. U ngritën institucione teknike projektuese, përfshirë Institutet e Projektimit për veprat hidroenergjetike dhe ato kulluese e bonifikuese, të mbështetura nga strukturat e Gjeologjisë, Hidrometeorologjisë, Sizmikës dhe Kërkimeve Hidraulike. Kjo punë e specializuar çoi në sistemimin e zonave problematike si Nënshkodra, këneta e Durrësit dhe Karavastaja.
Sipas ekspertit Jovani, përvoja shqiptare dhe ajo europiane tregojnë se një nga masat më të rëndësishme afatgjata mbetet forcimi dhe riorganizimi i institucioneve teknike, me role të qarta dhe bashkëpunim të koordinuar.
“Minimizimi i pasojave që shohim sot mund të arrihet vetëm përmes një organizimi institucional të fortë, me përgjegjësi të përcaktuara qartë,” thekson ai.
