Autoritetet ruse kanë nisur një hetim urgjent pas publikimit të një videoje tronditëse në rrjetet sociale, ku një baba dyshohet se ka vënë seriozisht në rrezik jetën e djalit të tij të mitur.
Në pamje shihet një fëmijë, rreth 5–6 vjeç, i cili ulet me litar nga dritarja e katit të shtatë të një pallati në qytetin Voronezh, rreth 25 metra mbi tokë. Gjatë gjithë momentit, fëmija dëgjohet duke bërtitur i tmerruar: “Më mbaj, më mbaj”.
Në vend që të ndërhynin, miqtë e babait qeshnin dhe filmonin skenën, ndërsa ai dëgjohet duke u thënë: “Filmojeni, filmojeni”. Pamjet tregojnë fëmijën të varur në errësirë dhe në temperatura të ulëta, deri në momentin kur një zë gruaje kërkon me urgjencë që ai të ngrihet lart.
Babai, i cili ende nuk është identifikuar, shihet duke e tërhequr djalin brenda dhe duke reaguar me të qeshura, duke thënë: “Ja, kaq”.
Zyra e Prokurorit Rajonal të Voronezhit ka konfirmuar nisjen e hetimeve, duke sqaruar se burri, nën ndikimin e alkoolit, ka kryer një akt ekstrem që ka rrezikuar seriozisht jetën e fëmijës. Në çështje janë përfshirë edhe autoritetet e mbrojtjes së fëmijëve, ndërsa prindërit mund të përballen me pasoja ligjore.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe vjen pak kohë pas një rasti tjetër në Rusi, ku një nënë u hetua pasi futi djalin e saj 10-vjeçar në një qese plastike me vakum “për argëtim”.
/Top Channel
