“Vajzat po vriten kot” – Një thirrje për drejtësi nga babai i Ilarias

Vrasja e Ilarias, një vajzë e re shqiptare që jetonte në Itali, ka lënë pas një boshllëk të pashpjegueshëm. Familja e saj është e shkatërruar, ndërsa babai, Flamur Sula, në një intervistë për La Repubblica, shprehet me dhimbje se koha nuk shëron plagë të tilla.

“Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë më mungon Ilaria. 20 maji ishte ditëlindja e saj. Për ne ishte si një funeral i ri. Ajo nuk do të jetë kurrë më në gjendje të mbushë 23 vjeç.”

Ai ndalet edhe tek ngjarja e fundit në Napoli, ku një vajzë 14-vjeçare, Martina Carbonaro, u vra nga ish-i dashuri. Për Sulën, kjo ishte një plagë e hapur që u ripërjetua sërish:

“Ishte sikur gjithçka të ndodhte nga e para. Si mund të jenë kaq të ftohtë, kaq të egër? Vajzat po vriten kot.”

Në mes të dhimbjes, ai ngre një thirrje për veprim dhe reflektim:

“Qeveria duhet të ndërhyjë. Nuk e di çfarë lexojnë ose studiojnë këta fëmijë, por diçka nuk shkon. Ne mendonim vetëm për punën dhe ndërtimin e jetës. Sot, kemi vetëm frikë.”

Sula rrëfen se ka frikë edhe për djalin e tij 18-vjeçar dhe përpiqet ta udhëzojë për marrëdhëniet dhe respektin ndaj vajzave:

“I them se ‘jo’ do të thotë ‘jo’, dhe nëse dikush përfundon marrëdhënien, duhet ta pranojë.”

Për familjen Sula, normaliteti është shkatërruar. Flamuri mbyll fjalën e tij me një rrëfim të trishtë që përmbledh realitetin e tyre të përditshëm:

“Jeta jonë është kthyer në një rrugë të vetme: nga shtëpia në varreza. Asgjë tjetër.”