Një aksident tragjik i ka marrë jetën një 20-vjeçari shqiptar në Itali. Viktima është Klaudio Gjoka, i ri nga Lezha, i cili jetonte dhe punonte prej vitesh në shtetin fqinj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në autostradën e Rrugës Shtetërore 589, në aksin Saluzzo–Barge, në kilometrin e 53-të, pranë Abacisë së Stafardës. Sipas mediave italiane, automjeti tip “Audi”, që drejtohej nga 20-vjeçari, është përplasur me një kamion.
Përplasja ka qenë fatale dhe i riu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit mjekësor, plagët e marra rezultuan të rënda dhe Klaudio Gjoka nuk mundi të mbijetojë.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur familjarët dhe miqtë, të cilët kanë shprehur dhimbjen e tyre përmes postimeve prekëse në rrjetet sociale.
“Na këpute shpirtin o vëlla. Na copëtove zemrën o Klaudio”, shkruan kushëriri i tij, ndërsa një familjare tjetër shprehet: “O shpirti i tetës, na copëtove zemrat. Të dashtë Zoti pranë vetes, se ke qenë i miri i botës”.

