Në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, Presidenti amerikan, Donald Trump, ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke shkaktuar reagime të forta në Beograd.
Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin QUO VADIS në Vizion Plus, vlerësoi mesazhin e SHBA-së si një konfirmim të mbështetjes kryesore për shtetin e ri.
Analisti nënvizoi se integriteti territorial mbetet sfida kryesore për Kosovën, për shkak të qëndrimeve të Serbisë, e cila vazhdon ta trajtojë Kosovën si një krahinë autonome.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Ky shtet i ri i Kosovës ka filluar të ecë me këmbët e veta dhe ka fituar pavarësinë
Andoni: Po, Mbështetja më e madhe vjen nga “kumbara” i tyre. Po flas përsëri me gjuhë metaforike. Ishte një lajm shumë i mirë gjatë orëve të fundit që deklarata zyrtare e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e rikonfirmonte këtë. Madje, ishte e hartuar shumë bukur. Ishte një formë që u jep mbështetje. Për hir të së vërtetës, Kosova ka kaluar një vit jashtëzakonisht të vështirë, gjë që hedh dritë mbi atë që ju thashë më përpara. Kosova nuk është ende në fazën e adoleshencës, por është akoma një fëmijë që sapo po ngrihet në këmbë.
Borakaj: Kur Trump uroi popullin e Kosovës në këtë përvjetor, ai ritheksoi përveç mbështetjes së palëkundur të SHBA-së dhe sovranitetit edhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Andoni: Problemi i integritetit territorial është problemi kryesor i Kosovës. Ju e dini që Serbia ende e trajton atë si një krahinë autonome. Në këtë kuptim, ky lloj trajtimi bën që vija ndarëse kufitare me ta të quhet nga ana serbe “kufi administrativ”. Madje, kur i referohen Kosovës, ata e quajnë “Kosova dhe Metohia”.
