Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se çmimet e naftës mund të mbeten të larta ndërsa sulmet SHBA–Izrael ndaj Iranit vazhdojnë, gjë për të cilën kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, paralajmëron se është “e dëmshme për ekonomitë tona”.
Presidenti amerikan ka deklaruar se sapo të përfundojë situata në Iran, çmimet e naftës do të bien, e sipas tij, më poshtë sesa ishin më parë, raporton Anadolu Agency.
“Nëse kemi çmime pak më të larta të naftës për një kohë të shkurtër, por sapo kjo të përfundojë, ato çmime do të bien, besoj, madje më poshtë se më parë”, ka deklaruar presidenti Trump.
Por, kancelari gjerman, Merz, ka përsëritur se shpreson që luftimet të përfundojnë sa më shpejt në Iran, sepse çmimet e naftës po e dëmtojnë ekonominë.“Kjo, sigurisht, po i dëmton ekonomitë tona. Kjo është e vërtetë për çmimet e naftës, dhe kjo është e vërtetë edhe për çmimet e gazit. Kjo është arsyeja pse ne të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar kancelari gjerman Merz.
Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm teksa Irani vazhdon sulmet në Lindjen e Mesme, në përgjigje të ofensivës së vazhdueshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Nafta Brent është rritur për 10 për qind, duke arritur në mbi 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tri anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës. Çmimet e gazit natyror janë rritur deri në 25 për qind.
