Sot shënohen 18 vite nga shpërthimi tragjik në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, që i mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Familjarët e viktimave vazhdojnë të denoncojnë vonesat e drejtësisë dhe kërkojnë që SPAK të zbardhë përgjegjësitë e vërteta.
Për herë të parë, homazhet u zhvilluan pa praninë e Zamira Durdës, gruas që humbi djalin 7-vjeçar Edisonin, për arsye shëndetësore. Megjithatë, thirrjen për drejtësi ajo ia la djalit të saj, Geraldo Durdës, i cili nga mikrofonët e mediave u shpreh:
“18 vite nuk kemi ndërmend të dorëzohemi derisa drejtësia të flasë dhe fajtorët të ndëshkohen për të dashurit tanë që humbën jetën.”
Familjarët rikujtojnë procesin e zvarritur gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe përfshirjen e mundshme të Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, që del në tabulatet telefonike të hetimeve.
“Fajtorët po dalin, por procesi zvarritet prej 18 vitesh. Disa sekuenca gjyqësore po e nxjerrin pazëllin e plotë të Gërdecit,” shprehet Geraldo Durda.
Memoriali në Gërdec kujton tragjedinë e fabrikës së demontimit, që ndodhet vetëm 20 kilometra nga Tirana, ku ende janë të dukshme shenjat e shpërthimit. Familjarët kërkojnë që drejtësia të shkojë deri te të gjithë përgjegjësit, pa dallim pozicioni politik.
