Ish-gjyqtari Albano Çepele është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai lë pas një karrierë shumëvjeçare në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Çepele u diplomua në vitin 1997 dhe një vit më pas nisi karrierën si gjyqtar në Gjykatën e Tropojës, ku shërbeu deri në vitin 2003. Më pas u transferua në Gjykatën e Shkodrës, institucion në të cilin ushtroi detyrën e gjyqtarit për gati dy dekada, deri në largimin e tij nga sistemi i drejtësisë në vitin 2023.
Në vitin 2020, ai u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për çështje që lidhen me pasurinë, vendim që u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në vitin 2023. Procesi i Vettingut ndaj tij u shoqërua me debate, pasi vetë gjyqtari dhe përfaqësuesit e tij ligjorë kishin argumentuar se ai vuante prej vitesh nga probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundje kronike të rënda.
Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit ka sjellë reagime nga kolegë dhe përfaqësues të komunitetit ligjor. Avokatja Sabina Mete e ka përshkruar Çepele si një njeri të drejtë dhe human, përtej funksionit që ka mbajtur.
Ajo është ndalur gjithashtu edhe te mënyra se si u trajtua gjatë procesit të Vettingut, duke theksuar se largimi i tij nga sistemi ishte i padrejtë dhe se familja e tij u përball me vështirësi të mëdha, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë shëndetësor.
