Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka pësuar një goditje të re në rënie ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 95.8 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi ka rënë me 0.23 lekë krahasuar me ditën e djeshme. Që nga fillimi i vitit, kursi Euro-Lek ka pësuar rënie me 1%, ndërsa me baze vjetore rënia ka arritur në 3.4%
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu pati një rritje të lehtë të kërkesës për Euro në ditët e fundit të muajit mars, çka e ngriti përkohësisht kursin sipër nivelit të 96 lekëve.
Por, me përfundimin e muajit, kërkesa ka pësuar rënie të menjëhershme, ndërsa oferta e valutës në treg duket e qëndrueshme. Kjo ka bërë që kursi të bjerë përsëri poshtë 96 lekëve, madje duke prekur një minimum të ri historik.
Agjentët e këmbimit valutor e përshkruajnë këtë dinamikë si një lloj fenomeni “sustë”. Rritjet afatshkurtër të kërkesës sjellin një ngritje të përkohshme të kursit të Euros, por, me uljen e kërkesës, kursi bie menjëherë në nivelet e mëparshme.
Kursi i këmbimit Euro-Lek vazhdon të karakterizohet nga një tendencë rënëse, që gjatë vitit 2026 madje është shtrirë edhe në tremujorin e parë të vitit, një zhvillim i pazakontë në të dhënat historike.
Me nisjen e tremujorit të dytë, gjasat janë që këto presione mund të forcohen më shumë, duke pasur parasysh një efekt në rritje të turizmit, sidomos pas muajit maj.
Banka e Shqipërisë po ndërhyn rregullisht në tregun valutor, me qëllim për ta mbajtur në kontroll forcimin e monedhës vendase.
Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2025 Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, për objektivit të rritjes së rezervës valutore, por në pjesën më të madhe në funksion të qëllimit për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të Lekut. Sasia e valutës së blerë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë.
Kjo jep një tablo më të qartë të ndikimit të bankës qendrore në kursin e këmbimit. Në mungesë të këtyre ndërhyrjeve, rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun do të kishte qenë edhe më e madhe.
Këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.
Megjithatë, në një skenar të rritjes së inflacionit, të shoqëruar paralelisht edhe me rënien e mëtejshme të kursit Euro-Lek, hapësirat e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë mund të ngushtohen.
