Zgjedhjet e 11 majit tronditën themelet e Partisë Socialiste, duke lënë jashtë Kuvendit disa nga figurat më të njohura dhe më jetëgjata në politikën shqiptare. Strategjia e re e Edi Ramës për të risjellë fytyra të reja solli një “pastrim” të paprecedentë të emrave të vjetër dhe të lidhur ngushtë me strukturat aktuale të pushtetit.
Goditjen më të madhe e mori Pandeli Majko – ish-kryeministër dhe një nga figurat më emblemë të PS-së – i cili, pavarësisht përvojës dhe kontributit, nuk arriti të sigurojë një mandat, duke u renditur me vetëm 6736 vota. Fati i ngjashëm i ndodhi edhe Mimi Kodhelit dhe Ermonela Felajt, që për herë të parë pas shumë mandatesh mbetën jashtë politikës aktive.
Por befasia më e madhe erdhi nga eliminimi i “gardës së Veliajt”. Të gjithë ish-funksionarët e Bashkisë së Tiranës – përfshirë Toni Gogu, Etjen Xhafaj dhe Klotilda Bushkën – nuk arritën të sigurojnë besimin e votuesve socialistë. Duket se baza elektorale ka dhënë një mesazh të qartë: larg influencës së Veliajt në strukturat e PS-së.
Një tjetër humbje me peshë ishte ajo e Blerina Gjylametit, e cila u mposht me një diferencë të ngushtë nga Olta Xhaçka, që fitoi mandatin me rreth 100 vota më shumë. Po ashtu, tentativa për të përfshirë emra nga partitë e tjera – si Halit Valteri, Blendi Sulaj dhe Endrit Brahimllari – rezultoi dështim total.
Tashmë vëmendja është zhvendosur drejt muajit korrik, ku pritet të ndahen “shpërblimet” e pushtetit. Postet në nivelet e treta të qeverisë priten të përdoren si kompensim për ata që, edhe pse nuk fituan në vota, ruajtën besnikërinë ndaj lidershipit të Ramës. Loja sapo ka filluar.