Teherani aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore mbrëmjen e së dielës, pasi dëshmitarët raportuan sulme të forta në kryeqytetin iranian, sipas Sky News.
Ministria e Energjisë e Iranit njoftoi përmes mediave shtetërore se energjia elektrike u ndërpre në provincat e Teheranit dhe Alborzit pas sulmeve që goditën objektet energjetike. Më vonë, zëvendësministri i energjisë deklaroi për agjencinë e lajmeve Mehr se ndërprerjet e energjisë në pjesën lindore të Teheranit ishin zgjidhur.
Ndërkohë, të dielën Irani paralajmëroi për përshkallëzim të situatës pasi sulmet ajrore izraelite goditën disa universitete, të cilat Izraeli pretendon se përdoreshin për kërkime dhe zhvillim bërthamor.
Garda Revolucionare iraniane deklaroi se Irani do t’i konsiderojë universitetet izraelite dhe degët e universiteteve amerikane në rajon si “objektiva legjitime” nëse nuk jepen garanci sigurie për universitetet iraniane.
Disa universitete amerikane, përfshirë Georgetown, New York dhe Northwestern, kanë kampuse në Katar dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas autoriteteve iraniane, dhjetëra universitete dhe qendra kërkimore janë goditur, përfshirë Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Iranit dhe Universitetin e Teknologjisë në Isfahan.
