Artur Ribaj ish-drejtor i tregut të sigurimeve në AMF është i mendimit se sigurimi nga tërmetet nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Në një intervistë në emisionin E-ZONE, Ribaj tha se janë të pakta vendet që e kanë me detyrim këtë sigurim.
“Ky model që na është prezantuar nuk është një praktikë europiane. Vet qeveria i është referuar modelit turk, ndërsa janë të pakta vendet në BE që e kanë me detyrim sigurimin e banesës. Unë mbështes tregun e lirë që funksionon mbi rregulla të qarta dhe konkurrencë. Ndaj këtë shërbim duhet ta lëmë vullnetar”, -tha Ribaj në Vizion Plus
Sigurimi me detyrim nga tërmetet u artikulua pas tërmetit tragjik të vitit 2019.

Ende edhe sot procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar. Ministri i Financave ka deklaruar publikisht se primi i sigurimit do të jetë një shumë e përballueshme nga çdo familje. Ky prim nuk është miratuar, por mendohet se mund të luhatet nga 25-30 euro në vit. Qeveria parashikon se ai që refuzon të sigurojë banesës nuk do të marrë shërbime publike

“Kjo nisëm rrezikon të përfundojë në një taksë më shumë në xhepat e qytetarëve. Pasi në këtë formë si është modeluar, konsiderohet e cunguar dhe jo e drejtë. Primi që do të aplikohet nuk bazohet nga studime të mirëfillta, në analiza risku, ndaj do të jetë një taksë më shumë. Mbi të gjitha e shoh me dyshim zbatimin e saj në të gjithë vendin”, -sqaroi Ribaj
Ministria e Financave ka përfunduar draftin për sigurimin e detyrueshëm. Në draftin e fundit ajo ka përfshirë edhe sigurimin nga përmbytjet. Por mbetet për tu parë se kë variant do të miratojë qeveria./
