Në Kuvend do të mblidhet sot Këshilli i Mandateve, ku do të nisë faza e parë për heqjen ose jo të imunitetit të Belinda Ballukut.
Sot 10 anëtarët e Këshillit do të diskutojnë mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Procedura parashikon që e drejta për t’u mbrojtur i jepet edhe palës, në këtë rast Ballukut, qoftë përmes avokatit apo prezencës fizike. Më pas çështja kalon në seancë, por jo përtej 16 marsit.
SPAK dorëzoi në datën 16 dhjetor dosjen me gati 1 800 faqe, duke argumentuar arsyet pse kërkon lejen për masën e arrestit. Madje, në atë kohë u tha se janë 11 tendera mbi të cilët po hetohet zëvendëskryeministrja.
Për kërkesën u arrit të zhvillohej vetëm një mbledhje e Këshillit, pasi PS bllokoi diskutimet.
Paralelisht me këtë, një tjetër betejë u zhvillua në gjykatë pasi kryeministri Edi Rama kundërshtoi pezullimin e saj nga detyra, duke e cilësuar ndërhyrje në kompetencat e pushteteve.
