Marrja e biznesmenit Bashkim Ulaj si i pandehur nga SPAK nuk është as paralajmërim dhe as spekulim mediatik, por një zhvillim i konfirmuar që shënon përplasjen më serioze deri më tani mes drejtësisë dhe oligarkisë ndërtimore në Shqipëri.
Kontrollet e ushtruara nga Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, përfaqësojnë vetëm fazën e parë të një dosjeje voluminoze që po trondit themelet e pushtetit ekonomik dhe politik në vend. Burime nga hetimi bëjnë me dije se çështja nuk do të ndalet me kaq.
Për herë të parë pas vitesh, hetimet nuk fokusohen te hallkat periferike apo kompanitë fasadë, por shkojnë drejt qendrës së skemës. Drejtësia po afrohet te emrat që kanë përfituar realisht nga një model i ndërtuar mbi koncesione të fryra, tenderë të garantuar dhe kontrata që nuk kanë shërbyer për zhvillimin e vendit, por për pasurimin e pakufizuar privat.
Prej vitesh, emri i Bashkim Ulajt është lidhur ngushtë me këtë model. Një sistem ku politikanët firmosin, oligarkët pasurohen dhe fatura përfundon mbi qytetarët. Ky mekanizëm ka rrënuar financat publike dhe ka deformuar konkurrencën, duke e kthyer shtetin në një instrument në shërbim të interesave private.
Simboli më ekstrem i kësaj skeme mbetet aksi Thumanë–Kashar. Nga një projekt me vlerë fillestare rreth 245 milionë euro, kontrata u shndërrua në një angazhim prej 1.307 miliardë eurosh për 35 vite, mbi një rrugë që ekzistonte më parë. Tarifa të ndaluara u legalizuan, afatet u shtynë në mënyrë skandaloze dhe fitimi u garantua pa asnjë risk. Shqipëria do ta paguajë këtë rrugë disa herë, ndërsa përfituesit numërojnë miliardat.
Kjo nuk është thjesht paaftësi administrative, por një skemë e ndërtuar me vetëdije, e mbështetur politikisht dhe e mbrojtur institucionalisht për vite me radhë.
Dosje të tjera, si skandali “DH Albania”, përdorimi i kompanive fantazmë, dokumente të dyshuara si të falsifikuara dhe tenderë të fituar përmes mashtrimit, tregojnë se ky sistem ka funksionuar si një linjë prodhimi për grabitjen e parasë publike. Kompania 4 A-M, e lidhur me Ulajn, rezulton të ketë përfituar qindra milionë euro nga fondet shtetërore.
Marrja e Bashkim Ulajt si i pandehur sinjalizon se SPAK po kalon në një fazë të re: atë të përballjes direkte me oligarkinë. Nëse hetimi shkon deri në fund, kjo çështje mund të shënojë çarjen më të madhe të sistemit të koncesioneve dhe një moment historik për drejtësinë shqiptare.
