Gjatë një momenti në program, duke iu drejtuar një prej banorëve, Akil Varfit, me të cilin po diskutonte për debatet në shtëpi, Arbana përdori shprehjen: “ke marrë pak si pushka e jevgut.”
Përdorimi i kësaj shprehjeje me konotacion përçmues ndaj komunitetit egjiptian nga moderatorja e “Ferma VIP” ka shkaktuar valë reagimesh në opinionin publik. Organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar gjuhën e përdorur, duke e konsideruar të papërshtatshme dhe fyese.
Në një reagim publik, Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome ka shprehur shqetësimin për ndikimin që përdorimi i këtyre shprehjeve ka në shoqëri, duke theksuar se edhe kur nuk përdoren me qëllim të drejtpërdrejtë ofendimi, ato kontribuojnë në përforcimin e stereotipeve dhe paragjykimeve. Sipas tyre, një gjuhë e tillë cenon dinjitetin e komuniteteve dhe nuk duhet normalizuar.
Edhe kur përdoren pa qëllim të drejtpërdrejtë për të ofenduar, shprehje të tilla vazhdojnë të ushqejnë stereotipe dhe paragjykime që prekin dinjitetin e njerëzve”, u shpreh përmes një deklarater publike, Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome.
Organizata ka bërë të ditur se pjesëtarë të komunitetit egjiptian janë ndjerë të ofenduar dhe kanë kërkuar një ndjesë të qartë publike nga moderatorja, duke theksuar se reagimi i saj pas situatës nuk është konsideruar i mjaftueshëm.
“Shfajësimi që u përpoq të bëjë më pas Arbana Osmani duke thënë se ka përdorur një ‘shprehje popullore që tingëllon raciste, për të cilën nuk ishte, nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë e tillë’, nuk është një kërkesë ndjesë e vërtetë”, thuhet më tej në deklarata.
Në të njëjtën linjë, edhe Qendra për Advokim Social ka reaguar, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga figurat publike dhe mediat. Ndërsa organizata Drejtësi Sociale e ka cilësuar shprehjen e përdorur si të papranueshme, duke theksuar se pas “batutave të zakonshme” shpesh fshihet një histori e gjatë paragjykimesh që nuk duhet të trashëgohet më.
Reagime ka pasur edhe nga institucione shtetërore. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dënuar përdorimin e gjuhës me stereotipe racore në transmetim, duke theksuar se media ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në promovimin e mesazheve gjithëpërfshirëse dhe respektimin e dinjitetit të çdo individi.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe steriotipeve racore, e cila nuk parandalohet në kohë reale dhe kanë mundësi të përhapet në rrjetet sociale duke dëmtuar personat e përfshirë dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Komisionerit.
Sipas këtij institucioni, platformat televizive kombëtare mbajnë përgjegjësi për promovimin e mesazheve gjithëpërfshirëse “që luftojnë diskriminimin, promovojnë Barazinë, si dhe respektojnë dinjitetin e çdokujt”.
Komisioneri u bëri thirrje produksionit të emisionit dhe televizionit “Vizion Plus” që të krijojnë mekanizma për parandalimin dhe trajtimin e gjuhës së papërshtatshme në transmetimet e tyre.
