Friday, January 16, 2026
HomeALBShqiptarët në SHBA: Punësimi, arsimi dhe shifrat që nuk njiheshin

Shqiptarët në SHBA: Punësimi, arsimi dhe shifrat që nuk njiheshin

Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë diasporën e tretë më të madhe shqiptare, pas asaj në Itali dhe Greqi. Emigrimi masiv drejt SHBA-ve ka nisur kryesisht pas viteve ’90 dhe sot numëron 206 mijë e 520 qytetarë që jetojnë dhe punojnë përtej Atlantikut.

Përqendrimi më i madh i shqiptarëve ndodhet në Nju Jork, ku jetojnë rreth 54 mijë e 600 persona. Pas tij renditen Miçigani me 26 mijë e 270 shqiptarë, Florida me 16 mijë e 270, si dhe Illinois, ku jetojnë rreth 15 mijë shqiptarë. Pjesa tjetër është e shpërndarë në shtete të ndryshme të SHBA-ve.

Sa i përket nivelit arsimor, shumica e shqiptarëve në SHBA kanë përfunduar arsimin e mesëm, me 44 mijë e 946 persona. Pas tyre vijnë ata me diplomë universitare të ciklit “Bachelor”, rreth 41 mijë e 210, si dhe mbi 14 mijë që kanë përfunduar studimet “Master”. Në ekstremet e arsimit renditen ata me vetëm arsimin 9-vjeçar dhe 1 mijë e 384 shqiptarë që kanë përfunduar edhe studimet e doktoraturës.

Mbi gjysmën e shqiptarëve në SHBA janë të punësuar, duke ushtruar profesione dhe zanate të ndryshme. Megjithatë, mbi 53 mijë prej tyre rezultojnë aktualisht të papunë. Një tregues i integrimit të plotë në shoqërinë amerikane është edhe fakti se 235 shqiptarë shërbejnë në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Pjesa më e madhe e emigrimit shqiptar drejt SHBA-ve është realizuar përmes Programit të Vizave të Diversitetit, i njohur si Lotaria Amerikane. Vetëm gjatë dekadës së fundit janë regjistruar mbi 3.1 milionë aplikime, ndërsa më shumë se 34 mijë shqiptarë janë përzgjedhur për të jetuar dhe punuar në SHBA.

Një tjetër formë emigrimi ka qenë përmes vizave emigruese, kryesisht për bashkim familjar, punësim apo birësim. Nga viti 2014 deri në fund të vitit të kaluar, Ambasada Amerikane ka miratuar mbi 43 mijë viza të tilla për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, rreth 126 mijë shqiptarë kanë përfituar viza jo-emigruese për qëllime turizmi, biznesi apo trajnimesh.

Aktualisht, vizat me qëllim emigrimi, përfshirë edhe Lotarinë Amerikane, janë pezulluar për Shqipërinë dhe 74 shtete të tjera, për një afat të pacaktuar. Shumica e këtyre vendeve janë përfshirë në listën e publikuar më 4 janar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ku theksohej se 41.3 për qind e familjeve shqiptare në SHBA përfitojnë ndihmë sociale. Në Ballkanin Perëndimor, kjo listë kryesohej nga Kosova me 46 për qind.

I vetmi vend i rajonit që nuk është prekur nga pezullimi i vizave të asnjë kategorie është Serbia, e cila mungonte edhe në listën e publikuar më 4 janar nga autoritetet amerikane.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments