Tuesday, January 13, 2026
HomeALBShqipëria nga Blloku i djeshëm i Enverit, te i Edit, Belës dhe...

Shqipëria nga Blloku i djeshëm i Enverit, te i Edit, Belës dhe Agasit në 2026

Naim Noka

Në vitin 2026, Shqipëria duket sikur ecën përpara, por në thelb rrotullohet në vend. Regjimi ka ndryshuar emra, flamuj, slogane dhe kostume, por jo logjikën. Ajo që dikur quhej Byro Politike, sot quhet elitë politike e boshtit Agasi- Baluku- Rama. Ajo që dikur ishte Drejtoria e Pritjes, sot është një rrjet  kusarësh që menaxhojnë tenderë, koncesione, kompani offshore dhe media të financuara.

Por thelbi është i njëjtë: një kastë e vogël jeton në bollëk ekstrem, ndërsa shumica paguan faturën.

Dokumenti i vitit 1991, që zbuloi se familja e Enver Hoxhës kishte konsumuar 2 tonë mish, qindra litra vaj, alkool, fruta, kafe dhe luks të paimagjinueshëm për një popull që jetonte me tallon, nuk është thjesht histori. Ai është manuali themelor i pushtetit shqiptar. Një pushtet që nuk u ndëshkua kurrë, nuk kërkoi falje dhe nuk u shkëput nga privilegji. Përkundrazi, u riciklua.

Në diktaturë, propaganda predikonte barazi, por Blloku hante si perandori. Në tranzicion, propaganda predikon integrim dhe reformë, por “Blloku i ri” jeton mes vilave, resorteve, charter-ave privatë dhe llogarive jashtë vendit. Atëherë ushqimet futeshin pa kontroll doganor si “pako diplomatike”; sot paratë dalin si “konsulenca”, “shërbime strategjike” apo “investime të huaja”.

Në fund të viteve ’80, 26 familje konsumonin aq sa disa qytete të tëra. Në vitin 2026, disa dhjetëra individë dhe klane politike menaxhojnë miliarda euro fonde publike, ndërsa qytetarët diskutojnë për rritjen e çmimit të bukës, energjisë dhe ilaçeve. Atëherë vilat e Byrosë kishin nga 10–15 dhoma për familje me 4 veta; sot, vilat dhe kullat shumëkatëshe ngrihen mbi leje të dyshimta, ndërsa të rinjtë largohen masivisht nga vendi.

Dallimi i vetëm mes djeshmes dhe sotmes është estetika. Diktatura ishte brutale dhe e hapur; korrupsioni ishte i fshehur pas sekreteve shtetërore. Sot, korrupsioni është i sofistikuar, i legalizuar, i mbështjellë me gjuhë ligjore, reforma dhe fjalë angleze. Por morali është identik: shteti trajtohet si pronë private.

Familja Hoxha paguante vetëm një pjesë qesharake të asaj që konsumonte. Edhe sot, elitat paguajnë pak ose aspak për atë që përfitojnë. Jo më me fatura ushqimi, por me amnisti fiskale, ligje të personalizuara, hetime të zvarritura dhe drejtësi selektive. Atëherë askush nuk guxonte të fliste. Sot flitet shumë, por ndëshkimi mungon po njësoj.

Nëse regjimi komunist u rrëzua politikisht, modeli i tij i privilegjit mbijetoi. Dhe pikërisht kjo është tragjedia shqiptare: jo se kemi kaluar nga diktatura në demokraci, por se kemi kaluar nga një elitë e pandëshkuar te një elitë po aq e paprekshme.

Viti 2026 nuk është pasojë e rastësisë. Është produkt i një historie të paçliruar nga e shkuara. Sepse një vend që nuk e dënon grabitjen e djeshme, është i dënuar të jetojë grabitjen e  Ballukëve dhe Agasëve të sotëm. Dhe derisa Blloku  në çfarëdo forme që të marrë ,  të mos përballet me përgjegjësi reale, Shqipëria do të vazhdojë të ushqejë, Gysërat dhe Belindat ndërsa  shqiptarër do  të  vijojnë varfërinë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments