Michael Beck vdiq të shtunën e kaluar, pikërisht në momentin kur ajo që kishte denoncuar prej saktësisht tridhjetë vitesh po fillon të gjejë konfirmim. Emri i tij tani mund të hyjë në librat e historisë për një rekord të zymtë: viktima e parë e një arme neurologjike. Bëhet fjalë për një teknologji të re, e përdorur deri tani vetëm nga shërbimet sekrete armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, e bazuar në impulse valësh që dëmtojnë rëndë trurin dhe shkaktojnë të ashtuquajturën “sindroma e Havanës”.
Që nga viti 2016, mbi dyqind zyrtarë amerikanë në shërbim në ambasadat jashtë vendit – veçanërisht në Kubë – ose të angazhuar në samite ndërkombëtare, kanë deklaruar se kanë dëgjuar një fishkëllimë të zgjatur dhe më pas kanë përjetuar dhimbje koke të forta, humbje orientimi dhe pagjumësi. Këto probleme janë përsëritur me kalimin e kohës, me intensitet në rritje. Por Beck e kishte përshkruar të njëjtën situatë që në vitin 1996.
Në atë kohë ai ishte agjent i NSA-së, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, që merret me inteligjencën elektronike dhe kibernetike. Së bashku me një koleg, Charles W. Gubete, ishte dërguar “në një vend armiqësor” për të kontrolluar kantierin e një selie diplomatike, ku dyshohej se ishin instaluar pajisje spiunazhi. Ditën e dytë të inspektimit, ai zbuloi “një kërcënim teknik”.
“Të nesërmen në mëngjes, kur u zgjova – ka deklaruar ai për Guardian – u ndjeva thellësisht i hutuar. Nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Nuk ishte diçka normale. Piva shumë filxhanë kafe, por nuk shërbyen për asgjë.”
Simptomat më pas u zhdukën. Por rreth dhjetë vjet më vonë, Beck filloi të vuante nga çrregullime gjithnjë e më të rënda: pamundësia për të përdorur tastierën e kompjuterit, vështirësi në lëvizjen e një krahu, paraliza të papritura të një këmbe, marramendje të zgjatura. Vizitat mjekësore sollën një diagnozë të tmerrshme: Parkinson. Ai ishte vetëm 45 vjeç dhe askush në familjen e tij nuk kishte vuajtur më parë nga kjo sëmundje.
