SHBA shpall politikë të re: Ndalim vizash për zyrtarët e huaj që censurojnë amerikanët
Uashington, 28 maj 2025 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur një politikë të re ndalimi vizash, e cila synon të ndëshkojë zyrtarët e huaj – dhe në disa raste edhe familjarët e tyre – për përpjekjet e tyre për të censuruar qytetarët apo banorët amerikanë për përmbajtje të publikuar në platformat amerikane të teknologjisë.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se kjo masë mbrojtëse vjen për të garantuar një nga shtyllat themelore të demokracisë amerikane: lirinë e shprehjes.
“Është e papranueshme që zyrtarë të huaj të kërcënojnë me urdhër-arreste apo të ushtrojnë presion ndaj shtetasve apo banorëve amerikanë për përmbajtje të shpërndarë në rrjetet sociale, ndërkohë që këta ndodhen brenda territorit amerikan”, thuhet në deklaratën e Rubio-s.
Po ashtu, ai theksoi se është po aq shqetësuese që përfaqësues të qeverive të huaja po tentojnë të imponojnë politika të censurës mbi platformat teknologjike amerikane, duke tejkaluar juridiksionin e tyre dhe duke ndërhyrë në ligjet dhe sovranitetin e SHBA-së.
Politika e re mbështetet në Seksionin 212(a)(3)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Shtetësisë, i cili i jep Sekretarit të Shtetit kompetencën për të shpallur të papranueshëm çdo të huaj, nëse hyrja e tij mund të ketë pasoja serioze për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Masa do të mund të zgjerohet edhe për anëtarët e afërt të familjes së personave të përfshirë në këto veprime censuruese.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Uashingtoni është gjithnjë e më i shqetësuar për përpjekjet e huaja për të ndikuar ose frikësuar qytetarët amerikanë, përmes presioneve të jashtme që lidhen me lirinë e shprehjes në platformat sociale si X, Meta, YouTube dhe të tjera.