Baret, restorantet dhe hotelet do të mund të shfrytëzojnë deri në 25% të gjerësisë së trotuarit për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve për aktivitetin e tyre, por tashmë me një kusht të ri.
Sipas një projektvendimi të propozuar nga Këshilli i Ministrave, çdo biznes që kërkon leje për vendosjen e karrigeve në hapësirat publike do të jetë i detyruar të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur në trotuar. Ky detyrim do të vlejë edhe për kioskat.
Rregullorja e re përcakton rregullat për shfrytëzimin e hapësirave publike nga bizneset gastronomike, ekspozimin e mallrave jashtë dyqaneve, aktivitetet ambulante dhe tregjet, si dhe institucionet përgjegjëse për monitorimin e tyre.
Ndërkohë, rregullorja ndalon në mënyrë kategorike vendosjen e strukturave erëpritëse, vazove apo tapeteve mbi hapësirat e gjelbra. Po ashtu, zgarat me qymyr ose elektrike nuk do të lejohen në trotuar pa aspirator.
Aplikimet për lejet do të bëhen përmes platformës e-Albania pranë pushtetit vendor. Leja do të ketë afat 2-vjeçar, ndërsa për raste festash do të jepen leje provizore me afat 30 ditë. Rregullorja parashikon edhe masa ndëshkuese për bizneset që shkelin kushtet e lejes.
