Është rikthyer në fshatin Stropan të Devollit trupi i pajetë i foshnjës 2 muajshe që humbi jetën pak ditë më parë në Tiranë.
Prindërit, në një deklaratë ditën e djeshme akuzuan institucionet shëndetësore për mungesë kujdesi ndaj foshnjës së lindur para kohe, duke pretenduar se gjendja e tij u përkeqësua për shkak të trajtimit të pamjaftueshëm.
Krahas dhimbjes së madhe, familja përballej edhe me vështirësi të theksuara ekonomike, çka e bënte edhe më të vështirë përballimin e ceremonisë mortore.
Në këto kushte, një emigrant shqiptar, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, ka ndërhyrë duke marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet e varrimit, duke bërë të mundur rikthimin e trupit të foshnjës në banesë dhe përcjelljen e tij për në banesën e fundit.
Foshnja, e gjinisë mashkull, kishte lindur me probleme shëndetësore dhe ndërroi jetë ditën e premte në kryeqytet.
Një ditë më parë, prindërit e tij kanë ngritur akuza ndaj personelit mjekësor për neglizhencë në trajtimin e të miturit, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.
